O I PANJOHUR
Ku ke ikur o njeri i panjohur ku?
në ç’cep të botës ke gjetur strehim,
braktisjet nuk paskan nacione,
nuk ndodhin vetëm në vendin tim.
Të të pyes sa peshon në atë vend?
asnjëherë sa peshon në vendin e tij guri!
Po në emër të thërret dikush?
e di në kurbet e humbet vulën burri.
Po të them që shkallët po kthehen në bar,
ashtu si shtëpinë time kulpra po mbulon,
xhiron kjo botë xhiron si portokalle,
po vëndin tim vallë kush e popullon?
Kur ke ikur o njeri i panjohur kur?
kur në Belgjikë krahu paguhesh me qymyr,
unë erdha nën bresherinë e gomoneve,
ishte koha kur detit i kishin ngritur mur.
Unë e di sa shumë djersë ke derdhur,
sa darka ke fjetur ndoshta pa ngrënë,
çfarë malli të grryen për vendin e lindjes,
lotët do ti zbrazesh mbi muret e rënë.
Ku po ikim kështu o mik i panjohur ku?
stacioneve mbetëm nomatë për ditë,
në këtë botë virane ku qeshin marrëzitë,
në këtë botë të egër ku vrasin dashuritë.
PO VINTE FUNDI
Unë po iki por nuk është një lamtumirë,
të thashë pa pritur duke të parë në sy,
se dashuria më duket e lodhur pa ngjyrë,
ndoshta kemi nevojë për një pauz të dy.
Nëse ndonjëherë ty malli do të pushtojë,
dhe ikona ime do të shfaqet në ëndërrim,
nuk do të kthehem kurrë një trung i tharë,
agimin e ditës së re pres në ç’do perëndim.
Se ka gjithmonë në jetë një kthim të dytë,
në ikjet e heshtura të stinëve shpërndarë,
ti mund të gjesh gjithçka në qënien time,
por asnjëherë përjetimin e ardhjes së parë.
Mbrëmjet e verës
Ç’më kujton mbrëmjet e atij qyteti
trëndafilat deri tek stoli binin aromë
në qetësinë e tij mbeshtjellur të dy
e vetme dëgjohej frymëmarrja jonë.
Ti më pyet të kujtohen ato mbrëmje
plot ëmbëlsi si tingujt e një kitare
shijen e likosë kishim vënë në buzë
s’kishim më zemra ishin ndezur zjarre.
Më kujtohen si tani ato mbrëmje
ndodhte që s’gjeja paqe as qetësi
ngujuar pas stolit si të isha statujë
kur në takimin e radhës mungoje ti.
Me siguri dhe ti i kujton ato mbrëmje
poshtë hijes së usharit të panjohur
motivin e një kënge shpesh ma kërkoje
më pas një heshtje një emocion i lodhur.
Kaq magjike i kishte mbrëmjet Përmeti
ky qytet lulesh që si gurrë buron muzë
ishte një kohë kur dija se çfarë të bëja
por fjalët peng më mbeteshin në buzë.
Ëndër
Një ëndërr më solli aty një natë,
Tek ai gardh i thurur me shufra,
Mbështeta supet e lodhur një çast,
I dehur nga lulet që kish çelur kulpra*.
I mbylla sytë ashtu mbas gardhit,
Pa nisi të fryjë një fllad i ngrohtë,
Mu shfaqën tutje ca kujtime malli,
Me vete pëshpërisja o dreq o botë.
Në mendje më erdhën histori të vjetra,
Të tjerra holle nga pleq me rrudha jete,
Kujdes me gardhin në sinorin e tjetrit,
Makutërinë mos e tërhiq osh për vete.
Diku mu shfaq ajo pllakë e lëmuar guri,
Ku inicialet tona aty kishim gdhendur,
Ishin zhytyr thellë gërmat dhe një zemër,
Mbuluar nga myshku i shirave të dëndur.
Filluam të qeshnim me të madhe,
Në sy u pamë…. pastaj të trembur,
Pllakën kërkonim ta bënim thërrime,
Për t’u ruajtur nga kjo botë e nëmur.
Etjen zumë t’a shuaim ne ca dardhë,
Të shartuara mbi gorrica në një pllajë,
U velëm nga lëngu dhe aroma e tyre,
Tek thithnim nektarin e gishtave tanë.
Nën hijen e rëndë të një lisi shekullor,
Mes lulesh u shtrimë me pallto mbuluar,
Në gjoksin tim lehtë mbështete kokën,
Numuronim yjet që skishin të mbaruar.
Pastaj ju dhamë tutje gjelbërimit,
Tërfilit qershisë dhe luleve të xanës,
Pranvera për ne nuk ishte më stinë,
Ndoshta ishte adoleshenca jonë e largët.