Wednesday, March 12, 2025
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me poetin Ndoc Xhetja

Çaste poetike me poetin Ndoc Xhetja

PUTHJA

Sa gjëra të shëmtuara

si grindja dhe sharja

ndodhin në mesin e rrugës së madhe

po përse ajo

më njerëzorja, më e madhërishmja, më hyjnorja

puthja,

të mbetet ilegale!?

EPITAF PËR VETEN

Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë

Kur pa që ëndrra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrëzoheshin në kolltuqe
kur jepte buzëqeshje dhe merrte skërmitje
uli sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

Dhe shkoi e hyri në manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e lehjes
Pastaj e përcollën në banesën e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhës.

Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri “Nënë”
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.

KUR MË JEPET E TËRA QENIA JOTE

Ti je kaq e bukur sa më jepet të pyes:
“Çfarë më je ti? Njeri apo art?”
Të shoh dhe vjershat e shkruara i gris
dhe para teje zbehet çdo varg.

Ti je poezia. Të tjerat janë proza
Ti je poezia që s`bëhet dy herë,
ti je frymëzimi që më dehu dhe bota
më duket e tëra e larë me diell.

Kaq ditë ti ecën përkrahu me mua,
ditë e përditë ne rrimë kaq pranë
sa që më e dashura fjalë “Të dua”
u bë e zakonshme si buka që hamë.

Kur më jepet e tëra qenia jote
marr botën në dorë dhe të fshehtat ia di
dhe puthja përsëritet e bëhet si kopje
them gjëra të mençura që s`kanë poezi.

Prandaj ik e më ler deri në mbrëmje
ose largohu një javë se vij e të marr
unë dua të jetoj me mungesën tënde,
të krijoj pa ty në vetvete një hall.

Më duhet një bosh që kërkon të mbushet,
më duhet një gjemb që nga brenda më ther,
më duhet të krijoj një dimër pa lule,
më duhet të të dua edhe një herë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT