I PA GJUME
Në orët e mesnatës
Rri brenda mërzisë sime
Si i palinduri në mitër.
Një flutur lind nga ajri
Dhe mes dritës vetvritet.
Ne netët pa gjumë
Poezitë janë sytë
Ku veten shoh dhe të tjerët.
Zemra si stacion meteorologjik
Trasmeton tingujt e vetmisë.
Në luftën e përhershme me veten
Humbja të ngjan më e mirë.
Bota ime prej botëve
Asgjësohet dhe prapë rilind.
NDJENJA TË BEFTA
Qiell i trembur prilli…
Një pulbardhë më ra në duar
Si gjethe m’u këput zemra
Një perde resh errësoi diellin…
Ka ardhur koha, ndoshta
Të kthehem në shtëpinë e vjetër
Mes librave prapë të fshihem
Tu marr erë kujtimeve të hershme
Hija ime në rrugë
Kapërcen kalldrëmin e heshtjes…
Ca pika shiu ranë befas
Dhe unë,padashur, u mbyta
Në një pellg ndjenjash…
ASKUSH
Askush s’lind i madh e i rritur
Të gjithë ishim sa një pikë ujë
Dikush vdes me fat të përndritur
Dikush rron tërë jetës i përulur…
Askush nuk pa brenda barkut të nënës
Pa e kuptuar e rrojmë këtë botë…
I thurim lavde dritës së hënës
Dhe këmbëzvarrë ecim mbi tokë…
Askush se di se kur do vdesë
Prej vdekjes , askush s’u ringjall
Ikim e shuhemi pa ndier si vesë
Mbesim në pak sy përlotur me mall…
Askush nuk rrojti pa qarë ndonjëherë
Se qarja, thonë, të bën burrë
Qahemi dimrit, se iku dhe një verë
Me asgjë s’kënaqemi kurrë…
Askush s,është përjetë i lumtur
Dhe kjo jetë ,eh, ka stinët e saj…
Një herë fitues, një herë të mundur
Ia hedhim fajin kujt nuk ka faj…