vitet e rinisë
Ishin vite të acarta
të nëntëdhjetat.
Kalonim nga një urë në një tjetër.
Nuk dinim rregullat e kalimit,
semaforët,
as gjuhët e huaja.
Nuk njihnim botën,
s’e njihnim veten,
as njëri – tjetrin.
Nuk kishim para,
as rroba veshë,
këpucë mbathë.
Ishim të egjër,
ishim t’uritur, të etur.
Braktisnim majtas,
braktiseshim djathtas.
Tradhëtonim para,
na vrisnin nga pas.
Morëm detrat, thyem kufinj.
Derdhëm gjakun.
Na vranë.
Vramë.
Urash u hodhëm lumit,
vagonave të trenit.
mauneve nën shasi.
Alo! jam kushuriri i Asimit,
djalit të tezes së Mentorit,
burrit të Nerminit.
A më pret? -veç për strehë,
jam azgan,
bëj punë çfarëdo.
Do bëj hall, veç aman
më prit ca ditë,
për ditët e para.
Të kam xhan.
Të jam borxhli.
Rrugëve të Barit, Palermos.
maleve të Gramozit,
shtigjeve të Selanikut,
skutave të Athinës
afendikoi, polici, prifti e prostituta,
nata, dita, uria, krimi,
drogë.
Sa paguan për një herë?
Jam me Ruzhdiun, mikun tim nga Shijaku,
bëj zafmet e ule çmimin!
Kemi një muaj pa prekur mish të butë.
Mbrapa kishim shtëpitë e ftohta, të ngushta.
Furnelat me vajgur në nevojtore,
brekët me arna nderë
në tel të ballkonit.
Nënat hallemëdha – gjellë me patate.
Motrat e pamartuara,
vëllezërit pa bukë.
Morëm arratinë.
Firar u bëmë.
As andej as këndej
as të hanës, as të Tophanës,
Jemi ne, të nëntëdhjetave,
të nëntëdhjetenëntave.
Çfarë bëmë e çfarë nuk bëmë!
Vumë kravata, duar ndër xhepa.
Thyem supermarkata,
fjetëm me plaka.
Prite kosovarin në fyt!
Ka para shkërdhata.
Dërguam para në Atdhe.
Nëno!
Ja ku ju nisëm marka, lireta, dhrahmi, dollarë,
e dinarë.
Pajë për motrat – nderin tonë.
Për vëllezërit e gratë e tyre – gjakun tonë.
Fëmijë që të lindin; të marrin rrugat e dajallarëve
axhallarëve.
Brezi tjetër i harbutërve tanë, flet anglisht.
Xhinsa spic e atlete Jordan.
Kujt t’ia ngulim thikën?
S’ka dhjamë o daj.
ikën ato kohëra kur futeshim në dyqan
e shitësit fërkonin duart
kur iknim me pak mall të vjedhur
pak mall për të blerë.
Ikën ato kohëra a derman.
Tani shtrëngojuni punës.
Oh! ke master ti nipçe? Fute n’bythë!
Këtu anglezi e pastron vetë qenefin e bllokuar,
ti dashke punë profesori.
Si të duash.
Këtu qafa këtu nafaka.
Pirdhu! Kam hallet e mia.
më shfaqesh në ândërr-
e çuditshme ândrra
të sjell si një sy të madh jeshil
plot jetë, plot jetë
dhe shpërthen
e mbushet bota me lot’-
me lotët valë të nxehtë
më shfaqesh në andërr natën
dhe më rrin në sy
plot lang, plot lang
vetmitar
si kandili i detit natën
do të ndrij’
a si zogu i borës dimrit
do ngrij’
ndoshta si unë, do të marrë rrugat
e botës
të mbushet me ajër mbarsur
malli e lotësh
mbasè nuk do shkojë kund e as
do kthehet,
do jesë kafeneve me gota para,
të pihet, të dejet
… pa kthye ma në shpi.
ditve t’mbrama do pendohet
e pendueshëm do rrëfehet,
…pa dashtë kurrnjerí
askush në shtëpi s’e pret;
tash von’ ka ardh prej malesh,
i vetëm në k’të qytet.
Bohemë
… e vjen prap vjeshta
me gjeth’ përdhé
stuhira,
vranësira,
ditë të brishta.
Shi,
shum’ shi.
Mbasdite të përhimta,
mbramje të trishta.
Kohë për vetmitarë
e poetë.
Vetmitarë, që struken mejhanash,
poetë që natën mbajnë sekretet e botës
…të vetat i shkruajnë paketave të cigareve
dhe i lëshojnë n’mëngjes
trotuareve.
Bohemë të lindur,
artistë të krisur
thurin vargje të trishta, netëve rrugash.
Puthin, dejen m’aroma kurvash…
dhe recitojnë Yesenin-in.