Karim Benzema është duke e kaluar periudhën më të mirë të karrierës, përkundër faktit se i ka kaluar të 30-tat
Sulmuesi francez shkëlqeu mbrëmë me tregolësh në fitoren e Real Madridit ndaj Chelseat me rezultat 3:1.
Paraprakisht, kishte realizuar “hat-trick” edhe në ndeshjen paraprake ndaj Paris Saint-Germainit në të tetën e finales, shkruan “Gazeta Express”.
Ai ndër të tjera është përfshirë në 50 gola të këtij sezoni deri tash, duke i llogaritur golat dhe asistimet.
Dhe, krejt këto nuk po e befasojnë trajnerin Carlo Ancelotti.
Italiani thotë se 34 vjeçari po ndihet i rëndësishëm në ambientin madrilen dhe kjo është arsyeja se përse ka shpërthyer ish-futbollisti i Lyonit.
“Benzema ishte fantastik mbrëmë. Ai po përmirësohet çdo ditë, sikur vera. Është një lojtar që e përmirëson çdo ditë lidershipin e tij, ndihet gjithnjë e më shumë i rëndësishëm për këtë klub, për këtë skuadër dhe për këtë ambient. Mendoj se kjo është ajo që e bën diferencën tek ai. Ka shumë më tepër personalitet, ai e di mirë që është një lojtar i rëndësishëm dhe e ka një sjellje shembullore për të gjithë”, deklaroi Ancelotti.
