Friday, March 14, 2025
BallinaVitrina e libritE diela poetike me vargjet e poetes Ajete Pavata

E diela poetike me vargjet e poetes Ajete Pavata

MENDOJ

Ëndrra është e brishtë ndaj nuk flet

Ikën si flutura pas natës së mbytur

Njeriu strehon mëkatin dhe hesht

Brenda vetes gjen krenarinë e jetës.

Nuk qaj aspak për kohën e ikur

Ajo fshihet dhe nuk ka kthim pas

Adhuroj njerëzit mendjendritur

Që antinjeriut nuk i japin shkas.

TRËNDAFILI

Ika nga gëzhoja e ankthit të natës

Tani ndiej jetën plot me gjallëri

Nuk i frikësohem, jo shtrëngatës

Edhe e këputur ruaj aromë dhe freski

Në bebëzat e syve tuaj shoh jetën

E pranverën e re që ka nis me ardhë

Shikimi im shterron në përrua lotësh

Ëndrra më la pasmesnate me veten

Si një lule qelqi pres agimin e bardhë…

KARVAN KOHE

Trishtueshëm ofshan errësira,

Plagët e rëndojnë,

Duke pritur agun e gëzuar,

Shekujt po kalojnë.

EJA

Së bashku me gjelbërimin që gjallëri lajmëron

Me lulet e para që bukurinë natyrës ia shtojnë

Eja me dashurinë që vëllai, vëllait ia dhuron

Me fjalën dhe besën, që Atdheun kurrë mos ta tradhëtojmë.

MËNGJESI

Iku dhe një natë e shoqëruar me ëndrra dhe ankth

Me vete mori një pjesë nga jeta ime

Por dëshira që ngeli peng i kohës

Përherë do mbetët në kujtime.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT