NJË NËNË
Një nënë u ngrit herët në mëngjes,
dhe përshëndeti qytetin, të tërin,
tek ecte si në mjegull e thyer në mes,
se nusja mbrëmë i kishte ngritur zërin.
Edhe ajo veten nuse e kish ndjerë,
dhe ajo patjetër që vjehrrë kishte,
por zërin vjehrrës s’ja ngriti asnjëherë,
se e lumtur me të jetoi, sa ishte.
Një nënë u ngrit herët në mëngjes,
dhe përshëndeti qytetin, të tërin,
tek ecte si në mjegull e thyer në mes,
se nusja mbrëmë i kishte ngritur zërin.
UNË S’UROJ NJË HERË NË VIT
Nuk më pëlqen të pres një shkak në vit
Miqve për t’i dërguar një urim
Njerëzit e zemrës i uroj çdo ditë
Çdo ditë i uroj me stilin tim.
Ndaj mos u habitni pse s‘ju uroj
Por nga gëzimi juaj dehem
Unë dua gjithmonë t‘ju kujtoj
S‘e kështu më mirë ndjehem.
Dhe po t’i kemë rrugët të zëna
Do t’i çoj urimet me një dallëndyshe
Për të pasur në shpirt brenda
Një pranverë krejt ndryshe.
HAPAT
Sa kam ecur nuk e di,
Hapi im ishte i shtrenjtë,
Asnjëherë nuk bëri vaki,
Që të ec me hap të njëjtë.
Sa kam ecur, nuk e di,
Hapi im derdhej si lumë,
Im Atë, më la një porosi,
Nga unë ec dhe pak më shumë!
BORA
Për borën sot tek ti kam ardhur,
se larg njeri – tjetrit dot më s’rrimë̈,
dhe, nëse nga i ftohti ke mardhur,
të ngrohë unë, me një̈ frymë.
Le të bjerë borë, metër pas metri,
le të bëjë shi e llohë,
E dashur, ne te njeri – tjetri,
kemi vajtur në kohë.