Tuesday, June 17, 2025
BallinaVitrina e libritE hëna poetike me vargjet e poetit Syhejl Havolli

E hëna poetike me vargjet e poetit Syhejl Havolli

MIKU IM I PATUNDUR
(Mr. Halil Alidemës)
Vetminë s’arrij ta mund
As harrimin ta krijoj
Ku s’do të më gjente vdekja


Sa të jemi gjallë
Tjetërkush s’mund të hyjë
Mes nesh – as atëherë


Këtë realitet assesi ta ndërroj
As në ëndrra t’i shmangem


Ti gjithmonë më thoshe
Nëse ta injorojnë imagjinatën
Nëse nuk ta pranojnë shpirtin
Me dëshirën e zjarrtë për liri
Mos u tund miku im


Nëse retë kobtare
Ta censurojnë diellin
Nëse lulediellin s’e lënë
Të kthehet kah ti


Nëse me zëra kambanash
Ta mbysin zërin e këngës


Edhe nëse trazohet
Pikë e qetë e botës që sillet
Mos u tund miku im.

DUART JANË DASHURI
Duart janë dashuri
Gjithmonë të ngrira
Degë thellimi
Me brymë mbi gjethe
Akuj që digjen
Dimër ndër ethe


Duar statuje që lagen në shira
Duart janë dashuri
Gjithmonë të ngrira


Si gjak trëndafili
Në gjemb të një heshte
Si puthje mërguar në një nebulozë
Dashuri janë buzët
Si kujtim rozë.

KËNGË MË KËNDO
Dua gishtërinjtë të t’i shoh
Duke vallëzuar përmbi tastierë të pianos
Aq lehtë, aq butshëm, aq thjeshtë


Dëshira ime nuk paguhet me asgjë
Edhepse jam i dehur, as verë pa pirë
Në këtë natë të gjatë
Me yje do të flisja deri në mesnatë


Në Park je fshehur, nën gjethe mirë
Sytë e diellit të shohin, aq të dëlirë
Në rrudha të ballit shkruhen kujtime
Për të kaluarën, për jetën time


Këngët tua sa shumë më pëlqejnë
Eja tek Parku, sytë më ngazëllejnë
E ëmbël je, të përqafoj shumë
Për ty vargjet rrjedhin çdo ditë si lumë


Kjo jetë qenka si rrokaqiell me kate
Buzëqeshur po vjen me flladin e kësaj nate
Lumturia t’u afrua, rrimë pa dro
Sygështenja ime, këngë më këndo!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT