Tuesday, January 31, 2023
BallinaNgjyra jeteMevi Rafuna-Shteti imagjinar

Mevi Rafuna-Shteti imagjinar

Ndoshta nga pushtimet e gjata dhe çdoherë të shtypur nëpër sisteme të ndryshme ekstreme edhe sot gati një dekadë nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ne si individë dhe si shoqëri e kemi të pamundur që shtetin ta shohim me përgjegjësi që na takon secilit.

Prandaj shpresat dhe fatet tona i lëmë në duart e këtij apo atij politikani.

Ne çdoherë e kërkojmë dikë që do jetë Baba por jo Prijësi i shtetit.

Baba duhet të jetë i pagabueshëm, të na i përmbush të gjitha kërkesat e dëshirat, madje të na i zgjedhë edhe ëndrrat që do i shohim natën.

Përderisa ky raport dhe kjo mendësi është e pranishme në shoqërinë tonë, ne ju japim politikanëve edhe jetët tona.

Pa menduar dy herë çdoherë është dikush tjetër që do mendoj për ty.

Ne të gjithë e duam një shtet përfekt për të cilin nuk bëjmë asgjë por që kur zhgenjehemi i kapim valigjet dhe ikim duke sharë e duke mallkuar.

Kur kthehem pas në kohë dhe shoh lëvizjet për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, më duket sikur janë dy botë krejt të ndryshme.

Apo sikur në gjenet tona si popull ragimet dhe bashkëpunimet me njëri- tjetrin janë vetëm në situata esktreme.

Unë shoh që shumë janë zgjenjyer nga baballarët qoftë nga Baba Albin, qoftë nga Baba Hashim, Rugova ishte Prijes por edhe atë donin ta shihin si Babë (një pjesë që pas vdekjes së tij kërkuan një baba tjetër).

Prijesi Ibrahim Rugova ka arritur ta kap dhe ta kanalizoj energjinë e popullit të tij për liri dhe pavarësi.

Baba Hashim ka arritur t’i materializoj dëshirat e popullit të tij, nga të cilat ka përfituar më së shumti ai dhe kllika e tij.

Baba Albin ka arritur të ju futet në kokë dhe të ja u vjedh ëndrrat ( madje as ato që nuk ja keni thënë vetëvetes).

Tani zhgënjimet janë më të mëdha pasi që në horizont nuk ka lindur një Babë i ri, të cilit do ja dorëzonit Zbrazëtinë që nuk keni me çfarë ta mbushni.

Pasi që u pa dhe u kuptua që Zbrazëtinë se mbushin as gjërat materiale e as Ari i botës.

Ne te gjithë e duam Kosovën, por e duam kur largohemi prej saj, e duam edhe njëri-tjetrin kur jemi larg por kur jemi afër se duam as veten…

Shpesh e mendoj sikur e gjithë kjo energji për t’u larguar, sikur e gjithë kjo energji për të qenë në garë me njëri-tjetrin e kundër njëri-tjetrit do kanalizohej që Kosova të bëhet shtet i denjë ku secili do e merrte atë qe e meriton, gjërat do ishin ndryshe.

Por jo!

Tani më nuk kemi as Ideale, as nga qielli nuk po zbret askush që ta na i plotësojë të gjitha dëshirat.

Shteti imagjinar që e ëndërrojmë në krahasim me shtetin real janë si Parajsa me Ferrin.

Nuk fillojmë nga gjërat e pakta.

Kopshtet private i ruajmë me kujdes por si të dalim në rrugën e përbashkët fillon papastërtia.

Lumenjtë ku ne pijmë ujë bashkarisht i ndotim me lloj lloj mbeturine.

Ky pra është shteti real, një mbeturinë masive për të cilën askush nuk përkujdeset sepse të gjithë e presin Ditën kur do bahet Mirë.

Ende besoj që ndoshta do kaloj edhe një shekull deri sa ajo Ditë të vie apo ndoshta nuk do vie kurrë…

Sepse ne e duam shetin por nuk japim Përgjegjësi dhe Vlerë qytetarie.

Pa Përgjegjësi dhe Pa Vlera janë rrënuar edhe Perandoritë më të mëdha të kohës…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT