Se ç’sillet Nobeli rreth e rreth Shqipërisë
Si t’i bie në dorë këtu letërsisë,
Niset nga Stokholmi humb diku në mjegull
A mbi ré shqiponjat n’kthetra e mbajnë pezull?!
Sapo ikën vera zverdhen gjethet vjeshtës
Ç’po i djeg shqiptarët keq bryma e heshtjes,
Trumbetojnë ndër vite kritikë e shkrimtarë
Pa heq dot nga rendi shkrimtarin e parë!
Se kush shtron tryezat me raki e meze
Tek pret mos flet ëmbël goja suedeze?!
Struken fishekzjarret pa shkëlqim e krisma:
Ismail Kadare, sërish bie nga lista!
Por unë kam një fjalë, një ide të re
Hiq dorë nga Nobeli, Ismail Kadare!!!
Të t’shoh në një radhë nuk ndjehem mirë hiç
Me një Peter Handke, një Ivo Andriq!
Dhe ata si ti, të dy janë shkrimtarë
Por thirrën në luftëra t’vriteshin shqiptarë,
Turr të dy stolisur me Çmimin Nobel:
Të zhduken shqiptarët me kulm e me themel!
Hiq dorë nga Nobeli, Ismail Kadare
Mos e lë pengun si Olimp ndër ne,
Se për njê Çmim cirk nuk lidhet shqiptari
Aty ku zënë vend shkrimtari e vrastari!