Ali Bega (1942). Aktor. Lindi në Tiranë më 29 Janar. Kreu shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” më 1964, dhe më pas filloi punë si aktor në teatrin “A. Moisiu” të Durrësit më 1965 ku vazhdoi deri në vitin 1992. Nga ky vit u emërua pedagog i lëndës Teknika e fjalës në Akademinë e Arteve të cilën e dha deri në vitin 1998, kohë kur edhe emigroi në SHBA. Në vitet 1995-1998, ka qenë shef i departamentit të aktrimit. Ka realizuar mbi 100 role kryesore e të dyta. Spikati qysh me rolin e Vehipit në dramën “Familja e peshkatarit” e S. Pitarkës, më 1965.
Një vit më vonë i dha formë vetironike figurës së Treplevit në dramën “Pulëbardha” të A.P. Çehovit. Ndër realizimet e tij interesante ishte Shefari në dramën “Dorina” të Teodor Laços, ku operoi në rrafshet e sarkazmës duke e bërë të dukshëm meskinitetin, arrogancën dhe panikun e zyrtarit të korruptuar. Në këtë kah, ai erdhi nga viti në vit duke plotësuar fizionominë e aktrimit të tij, posaçërisht me figura karakteriale që kishin mbartje negative.
Prerjet ironike e sarkastike u vunë re edhe në trajtimin që u bëri personazheve të tillë si Handejker te “Ngjarje skandaloze” e Xhon Pristlit, Henksi te “Lebra” e Henri Bell, ashtu sikundër arrinte të ravijëzonte tipa e karaktere edhe me pak fjalë, deri edhe me heshtjen apo hollësitë shënjuese plastiko-ritmike. Paçka se me një këngëzim të lehtë, që është pjesë e stilit, ai karakterizohet nga një ngulm dhe përqëndrim i brendshëm, nga mbajtja në kuota të dëshirueshme të tensionit psikologjik, çka e bënte rrokshëm konfliktin, apo edhe kundërshtitë brenda për brenda vetë personazhit; ka një shqiptim të qartë dhe përshtatet mirë me sjelljet dhe dialogun e zhvilluar me të tjeret.
Parapëlqen dykuptimësite, nëntekstet, përbirimet dhe hetimin. Jo rrallë prirja e tij anon edhe nga tjetërsimet e thukëta me personazhin, si u pa kjo te roli i priftit në dramën “Përshpirtje në shtepinë e Matildës” apo në dramën “Përtej dashurisë” të Dashnor Kokonozit. Me rolin rolin e Firdusit në dramën “Shtëpia e lepujve” e Zija Çelës, më 1989, i dha formë shpirtit kontradiktor të njeriut, duke e ngritur protestën e tij në një parabolë të mirëkuptuar për publikun e kohës..Aktoret shqiptar
