Saturday, March 25, 2023
BallinaKalendari EnciklopedikDemir Reshiti-Nekrologji kushtuar kolosit të letërsisë për fëmijë, dr. Agim Deva, në...

Demir Reshiti-Nekrologji kushtuar kolosit të letërsisë për fëmijë, dr. Agim Deva, në përvjetorin e tetë të shkuarjes në amshim

AGIM DEVA MBETET NJË YLL I PASHUAR I LETËRSISË PËR FËMIJË

Me punën e tij të gjithanshme drejtuese e krijuese, ai ishte shembulli i një njeriu virtuoz, me një kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual. Agimi nuk ishte vetëm letrar, shkencëtar dhe profesor. Ai, njëherësh, ka qenë qytetar me vlera dhe i spikatur. Ishte njeri me dinjitet, i fortë përballë dallgëve, burrëror dhe konstant në vlerat si qytetar.

Shkruan: Demir Reshiti

Më një shkurt 2015 pushoi së rrahuri zemra e shkrimtarit, profesorit dhe studiuesit të letërsisë, Agim Deva. Të gjithë fëmijët që ishin mësuar ta shohin në krye të Karvanit të Shkrimtarëve poetin me mjekër e me zemër të bardhë, atë të diel janë ndierë nga pak jetimë. Jetimë janë ndier edhe kolegët e Agimit, poetët për fëmijë për të cilët Agimi ishte si një çadër e madhe ku ata gjenin strehim. Ideatori dhe udhëheqësi i manifestimit më të madh letrar në botë (Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë), Agim Deva është ndarë nga jeta, të dielën e parë të shkurtit në orët e mbrëmjes, pas një sëmundje të rëndë, në moshën 61-vjeçare.

Ai ka kryer Fakultetin Filozofik, Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku edhe ka magjistruar dhe doktoruar në fushën e letërsisë për fëmijë. Pas diplomimit në fakultet, ka punuar një kohë si gazetar në “Zërin e rinisë”, e me vonë si kryeredaktor i parë i “Gazetës së pionierëve”.

Në vitin 1973, nisi punën në Fakultetin e Filologjisë, së pari – asistent në ‘Teorinë e letërsisë’, e pastaj, ligjërues në lëndën ‘Letërsia për fëmijë’, të cilën e ka mbajtur deri në maj të vitit 2008 kur iu dorëzua sëmundjes. Në këtë fakultet, Agim Deva, si profesor ordinar ka ligjëruar edhe: Fillet e gazetarisë, Kritikën letrare, ndërsa në Departamentin e Gazetarisë ka ligjëruar lëndën Zhanret e gazetarisë.

Gjysmë shekulli krijimtari letrare

Me krijime letrare ka filluar të merret shumë herët, qysh në moshën dhjetëvjeçare, pra që nga viti 1958. Librin e parë “Trumbeta e artë” e botoi më 1968, libër i cili zgjoi interesim të konsideruar si te lexuesit, po ashtu edhe te kritika letrare dhe ishte një sinjal se në letrat shqipe po vjen një shkrimtar i madh, i cili do të jetë i pranishëm përherë në skenën letrare duke mbajtur kontakt të vazhdueshëm me lexuesin, sidomos me lexuesit e vegjël.

Ishte njëri ndër shkrimtarët më produktivë të letërsisë sonë, veçmas asaj për fëmijë. Për gjysmëshekulli të krijimtarisë letrare, Agimi i la letërsisë shqiptare një opus të madh veprash.

Ka botuar një numër të konsideruar veprash letrare (prozë e poezi), antologji të ndryshme, panorama të poezisë botërore, vepra të ndryshme shkencore, monografi, kritika, recensione, ese, parathënie e pasthënie, një libër leximi për klasën e katërt fillore, një roman, dy pjese teatrore, dy libra për fëmijët e hendikepuar, libra ilustrativë për fëmijët e moshave parashkollore, libra me karakter ambiental e, së fundi, botoi edhe Abetaren me të cilën, që nga ky vit shkollor, i mësojnë shkronjat e bukura shqipe mijëra vogëlushë anekënd Kosovës.

Opusi krijues i Agim Devës shtrihet në mbi 70 vëllime, të cilat janë botuar nga shumë shtëpi botuese e institucione të tjera prestigjioze si: “Rilindja”, “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, “Pionieri”, “Libri shkollor”, “Rozafa”, “Zef Serembe”, “Kinderberg”, “UNICEF”-i, “SOROS”-i, “Sida”, “USAID”-i, “KCF”-ja, “REC”-i, “Save the childrens”, “Hendicap International”, “Oxfam”- etj.

Disa nga veprat e veta, ky krijues i nxori nga shtypi si botime të autorit, ndërkohë që ka lënë në dorëshkrim edhe disa libra të tjerë.

Agim Deva, për punën e tij letrare dhe arsimore, qe nderuar me shumë çmime prestigjioze si dhe me dhjetëra mirënjohje, pena të arta, falënderime e çmime të ndryshme për tekstet me të mira të interpretuara nëpër festivale e manifestime të tjera në Kosovë dhe jashtë saj.

Ishte pjesëmarrës në Simpoziumin Ballkanik të Letërsisë për Fëmijë të mbajtur në Tiranë (në vitin 2000), si edhe në shumë takime letrare në Shqipëri, Austri, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Itali, Francë, Maqedoni, Mal të Zi etj.

Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, si në: anglisht, gjermanisht, arabisht, italisht, rusisht, sllovakisht, rumanisht, kroatisht, turqisht, sllovenisht, maqedonisht, serbisht etj.

Cilësia dhe sasia e këtyre veprave flasin, gjithsesi, për një botë jashtëzakonisht të pasur krijuese dhe një qasje jashtëzakonisht të ndjeshme, të larmishme e interesante ndaj botës së fëmijës. Ai kurdoherë ka pasur se çka t`u thotë fëmijëve. Ai kurdoherë, me secilin libër, doli i ri, i freskët, me përmbajtje të reja.

Agim Deva mbetet edhe studiuesi, kritiku dhe teoricieni i parë i letërsisë shqiptare për fëmijë në Kosovë i cili hodhi bazat e i dha shtysë zhvillimit të mendimit kritik letrar dhe historisë së kësaj letërsie.

Ishte krijues shumë i lexuar e shumë i dashur dhe, njëkohësisht, krijues shumë i frytshëm. Me përvojën e tij të krijuesit dhe profesorit të letërsisë ndihmoi edhe një numër të konsideruar të shkrimtarëve tanë, duke ua redaktuar e recensionuar deri më tani mbi 300 libra.

Mik i madh i fëmijëve dhe humanist shumëdimensional

Agim Deva ishte mik i madh i fëmijëve, humanist shumëdimensional, i cili deri në ditët e fundit nuk reshti së dhëni kontributin e çmuar për të sotmen e për të ardhmen e tyre. Vepra e tij letrare e mbështetur në një spektër të pafund krijues e kënde të panumërta të interpretimit të dukurive e të botës së fëmijëve, do të jetojë për brezat e ardhshëm si një vlerë e madhe e kulturës sonë kombëtare.

Si cilësia ashtu edhe numri i veprave të tij letrare e dëshmojnë të vërtetën se përkushtimi ndaj krijimtarisë artistike është përbërës i domosdoshëm i dhuntisë së madhe krijuese.

Si themelues e drejtues i “Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë” që nga viti 2000 e këtej, Agimi ka udhëhequr mbi 730 manifestime letrare në qindra mjedise anembanë Kosovës, por edhe me gjerë – në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, në Kosovën Lindore, etj. Ka organizuar disa simpoziume e sesione shkencore mbi çështjet e letërsisë për fëmijë e të rinj.

Me kthjelltësi të rrallë mendimi, me një të folur të qartë e të shtruar, të rrjedhshëm e të këndshëm, shquhej në komunikimin me të gjithë, që nga kolegët e deri tek lexuesit e vegjël, fëmijët.

Ai, tërë jetën, si mësues e si shkrimtar, me fjalën e tij ushqeu rritjen dhe lulëzimin e njeriut. Duke ia përkushtuar tërë jetën diturisë e artit, ai arriti që të krijonte mbretërinë e fjalës së vet, prej nga buronte humanizmi e çiltërsia. Me inteligjencën e veçantë në sytë e ëmbël e me fisnikëri të bukur në shpirt, ai ruante përfytyrimin e figurës që u takon të gjithëve.

Me punën e tij të gjithanshme drejtuese e krijuese, ai ishte shembulli i një njeriu virtuoz, me një kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual.

Agimi nuk ishte vetëm letrar, shkencëtar dhe profesor. Ai njëherësh ka qenë qytetar me vlera dhe i spikatur. Ishte njeri me dinjitet, i fortë përballë dallgëve, burrëror dhe konstant në vlerat si qytetar.

Ai do të rrojë mes nesh si model i Njeriut të Mirë, studiuesit e shkrimtarit, pedagogut, me vështrim përherë tek e ardhmja e shoqërisë.

Agim Deva mbetet një yll i pashuar i letërsisë për fëmijë. Ai vazhdon të përhapë dhe të dërgojë dritë vezulluese, ngrohtësi, mirësi dhe dashuri njerëzore, mesazhe paqeje dhe humanizmi, veçanërisht te lexuesit e vegjël, që ai i donte aq shumë dhe që u kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të energjisë së tij krijuese. Të tillë, do ta kujtojmë për jetë të jetëve.

E ndiej vetën me fat që isha student, koleg, bashkëpunëtor dhe mik shumë i mirë i profesor Agimit.

VEPRAT E BOTUARA:

1. Trumbeta e artë, Rilindja, Prishtinë 1968

2. Zonja e livadheve, Rilindja, Prishtinë 1969

3. Midis yjeve, Pionieri, Prishtinë 1970

4. Dhurata, Flaka e vëllazërimit, Shkup 1970

5. Kali ynë lazdran, Rilindja, Prishtinë 1971

6. Reja qe shet akullore, Rilindja, Prishtinë 1972

7. Shoku im pa xhepa, Flaka e vëllazërimit, Shkup 1972

8. Gishti ngjyrë vjollca, Rilindja, Prishtinë 1973

9. Gjevrekët e liqenit, Rilindja, Prishtinë 1974

10. Panushi (roman), Rilindja, Prishtinë 1974

11. Merrja lojës vetëm zemrën, Rilindja, Prishtinë 1975

12. Parada e luajve, Rilindja, Prishtinë 1977

13. Antologji e poezisë shqipe për fëmijë, Prishtinë 1977

14. Me temlik u nisa në botë, Rilindja, Prishtinë 1978

15. Një mijë çerdhe, Rilindja, Prishtinë 1979

16. Rrota e historisë, Rilindja, Prishtinë 1981

17. Nëpër gurë e valë, Rilindja, Prishtinë 1982

18. Tregu i xhinkave, Rilindja, Prishtinë 1 984

19. Harta e zemrës, Flaka e vëllazërimit, Shkup 1984

20. Letërsia shqipe për fëmijë në Jugosllavi, (studim i gjatë), Obzorja, Maribor 1985

21. Kur qan e qesh Majliza, Rilindja, Prishtinë 1985

22. Kënga e urimeve, Rilindja, Prishtinë 1986

23. Njeriu i vjeshtës, Flaka e vëllazërimit, Shkup 1986

24. Kapelat, Libri shkollor, Prishtinë 1986

25. Çaste në trohallë, Rilindja, Prishtinë 1987

26. Fjalim nga tavolina, Rilindja, Prishtinë 1989

27. Xhela rritet një herë tjetër Rilindja, Prishtinë 1990

28. Po ma vjedh dikush qytetin, botim i autorit, Prishtinë 1 994

29. Poezi të zgjedhura për fëmijë, Shkup 1996

30. Xhela me një rrotë, Enti i Teksteve, Prishtinë 1998

31. Guri rrokulliset përpjetë, botim i autorit, Tetovë 1999

32. Xhela gjet yllin e vet, botim i autorit, Prishtinë 2000

33. Koha e luleve, botoi “Oxfam”, Prishtinë 2000

34. Edhe rrugët udhëtojnë, botim autorit, Prishtinë 2000

35. Vigani i Zanës, Prishtine 2000

36. Gjuha e mureve, botim i autorit, Prishtinë 2000

37. Qyteti i pikëpyetjeve, botoi “Kinderherg”u, 2001

38. Fjala ruhet kur shkruhet, Hendicap international, 2002

39. Natyreza, botoi “REC”u, Prishtinë 2002

40. Pasaportë e jetës sime, KAC, Prishtinë 2003

41. Unë jam unë, UNICEF-i, Prishtinë 2001

42. Duart e arta, Soros, Unicef, 2001

43. Shtrati i kaprollit, Save the childrens, Soros, 2001

44. Sa me shumë drunj, Soros, Save the childrens, Prishtinë 2001

45. Loni e Liraku në pyll, Sorosi, Prishtinë 2001

46. Topi, Unicef, Prishtinë 2001

47. Biçikleta prej çokolate, Oxfam, Soros, Prishtinë 2001

48. Numëroj, Soros, Unicef, Prishtinë 2001

49. Mali, Save the childrens Prishtinë 2001

50. Ditët e javës sime, Prishtinë 2001

51. Ora, Save the childrens, Prishtinë 2001

52. Fëmijët, Unicef, Soros, Prishtinë 2001

53. Kulmi i botës, antologji e poezisë botërore për fëmijë, Enti i teksteve, Prishtinë 1984

54. Romani ynë për fëmijë (monografi) Rilindja, Prishtinë 1977

55. Poezia shqipe për fëmijë (1872-1980) (studim monografik), Rilindja, Prishtinë 1982

56. Fjala e përjetimi (studime e kritika), Rilindja, Prishtinë 1984

57. Fjala bëhet lule (koautor), libër lex. për klasën IV fillore, Enti i teksteve, Prishtinë 1985

58. Orët e duartrokitjeve (koautor), SBASHK-u, Prishtinë 2002

59. Përse banka përsërit klasën, Prishtinë 1979

60. Ankohet çanta e vogël, Naim Frashëri, Tiranë 1986

61. Jeta jetohet me zemër, pjesë teatrore, Prishtinë 2003

62. Në dhomën katër me tri, (pjesë teatrore), Prishtinë 1998

63. Si shkruhet pa shkronja, Rozafa, Prishtinë 2003

64. Shtatë mrekullitë e mia, botim i autorit, Prishtinë 2004

65. Këtu dikush ka qenë, botim i autorit, Prishtinë 2005

66. Shitet babi im, botim i autorit, Prishtinë 2006

67. Poezi të zgjedhura për fëmijë, Libri shkollor, Prishtinë 2006

68. Mungon një zemër, botim i autorit, Prishtinë 2007

69. Unë dhe shokët e mi, botoi UNICEF-i, Prishtinë 2007

70. Gurët fluturues, Zef Serembe, Prishtinë 2007 etj.

71. Kush troket në mua, Zef Serembe, Prishtinë 2008

72. Orët pa tregues. Zef Serembe, Prishtinë 2008

73. Kërkoj orëndreqës, PEN, Prishtinë 2008

74. Trahoma, Shkup 2008

Shpërblimet:

SHPËRBLIMI I DHJETORIT

SHPËRBLIMI “NEVEN” (Novi Sad)

SHPËRBLIMI I BV të INTERESIT (KK. i Prishtinës)

SHPËRBLIMI “GANIMETE TERBESHI”

SHPËRBLIMI “NAIM FRASHERI”

SHPËRBLIMI “ADELINA MAMAQI” (Tiranë)

SHPËRBLIMI “VEHBI KIKAJ”

SHPËRBLIMI “YMER ELSHANI”

SHPËRBLIMI I “PIONIERIT”

SHPËRBLIMI “SOFRA POETIKE e Y. ELSHANIT”

SHPËRBLIMI “AZEM SHKRELI” (nga Ministria e Kulturës)

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT