-SA SHUMË HESHTJE-
Ti mund të heshtësh mikja ime,
Shpeshherë heshtja flet më shumë,
Por mos harro se më shkakton dhimbje,
Se më le të tretem, i pagjumë
…
Dhe kështu, mbi mua heshtja bën fole,
Dhe mbi qerpikë më var lotët e trishtimit,
Dhe më përmbytet shpirti nën dyshime,
Me dallgë ndjenjash në rrugën e kthimit.
Çdo të thuash o heshtje tinzare
Me këto klithma vështrimesh pa jetë,
Në cilën skutë ëndrrat i humbe,
Ku vallë ylli i ndjenjave t’u tret?!
E brishtë endesh nëpër endje,
Humbet mes joshjesh vrastare pa fund,
Aroma lulesh që zgjojnë përgjumje,
Gjumë që ëndrrat e vdekjes m’i përkund
Kaq larg dhe afër, si një zog përjetësie
Që flatrat e brishta m’i përplas në fytyrë,
Trembem mos era e kohës të vret dhe bie
Në vorbullën e dhimbjes, nën qiellin humnerë.
Sot nuk paskam lotë në sytë e lagur,
Vetëm kripa e kujtimeve më mbeti mbi ta,
Në purgator ma çuan zemrën e etur,
Mbi lumin e zjarrtë, zemra fatkeqe më ra.
O zot, sa shumë heshtje më solli,
Kjo vetëtimë ndjenjash mbi shpirt,
Në këto ditë të zhurmshme më kryqëzoi,
Ma gjakosi zemrën si një Krisht…
.