Tuesday, May 13, 2025
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me vargjet e poetes Flora Idriz Peci

Çaste poetike me vargjet e poetes Flora Idriz Peci

BUZË LIQENIT

Shëtis unë me vetminë time
Buzë liqenit të dremitur
Kërkoj atë që ma morën ëndrrat
Akullnajat dua t’i shkrij
Zemrës t’i jap ngrohtësi…
E mekur nga zhgënjimet
Me liqenin bisedoj
Valët e tij dremisin


Si në pasqyrë më vjen një siluetë
Valët pëshpërisin mes veti
Pashë se shpresë nuk më dhanë
Më mëshiruan, por nuk më panë
Ika matanë,shpirtit të syrgjynosur
I dhashë vetë shpresë…e nesërmja vjen.

GREMINË SHPRESE

Netëve ti shfaqesh në ëndërr engjëll
I shtrirë pranë meje me ledhatime të zjarrta
Me dashuri Orfeu
Më fal dashuri
Tisi i shpresës, flakadan dashurie
Xixë stralli shkrep në gjumin e parë…
Mëngjesi cicëron agun
Mbështjell ëndrrat e natës në humnerë
Më zgjon nga amulli e mbrëmjes
Jeta nuk është ëndërr
Greminë dashurie fundoset
Unë humbas në të sotmen
Për të kërkuar afshin e ëndrrës

KUSH BUZËQESHJEN TA MORI

Të shoh rrugëtimesh në çapitje
Siluetë e harruar gjurmëve të kohës
Kush buzëqeshjen ta rrëmbeu
Mos vallë të rrëshqiti vërshimave të kohës
Në trungun e rrugëtimeve tua
Aromë dëshprimi, harenë në kështjellë e murose?
Agimet të çelin me lotin në sy
Venitur çdo ditë nga një arkë e kohës?
Mos në letargji
Jeta ka shumë shtigje
Rrënoje kështjellën
Nga gjiri i Rozafës qumësht pi
Lulëzo në gonxhe
Vjedh buzëqeshjen
e murosur kohësh
jetës sate fali
rrugëtim shtigjesh të reja
heq siluetën e së kaluarës
velenxë e pamerituar për ty

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT