GJUMI NË PREHRIN E NANËS
Më merrte shpesh gjumi
Në prehrin e Nanës Xhemile
Më gudilisnin si gurgullimë lumi
Përrallzat e saj plot shkëlqime.
Një tavolinë druri kishte nëna si divan
Fytyrën ia stoliste një nur i ëmbël pleqërie
Kali i ëndrrave të mia lodronte revan
Veç dardha vjehtore ditën na bënte hije.
Me duart të arta ma pëkdhelte ballin
Lodhjen nga ecejaket ma shuante
Nga kokëdhembja ma shuante zjarrin
Si fëmijë çerrata me mua luante.
Njëzetë vjet mbi ata gjunjë jam rritur
Bukën nore shpesh thatë e kam shijuar
Aty babain nga kurbeti kam pritur
Lotët e mallit aty më kanë përcëlluar.
Aty nga nëna mësova Alfabetin e jetës
Mësova mos m’u dorëzue në kohë ligatina
Me këmbë të forta m’u ngjit përpjetzës
Moteve të vrugta me breshër e vetëtima.
Dritën e hënës e kishim si kandil avllie
Yjet na sodisnin nga qielli me zili
Sa të fortë ishin damarët e kësaj dashurie
Veç Nana Xhemile dhe shpirti im e di.