ME VËSHTRIM NGA LIRIA
Me besimin e tij në aritmetikën time
i bëra llogari ditët e burgut
mbi fletët e zhubrosura të shënimeve,
që m’i zgjati me ndrojtje ai vetë
nga i heshturi në blind,
i ftohti sportel nga merr edhe bukën.
Në të majtë shënova burgun e kryer me vite,
në të djathtë, – burgun e mbetur me ditë,
në mes
lashë një hapësirë të ngushtë
si korridori i gjatë që lidh qelitë.
Kur doli në ajrim i tregova skicën,
aritmetikën time të gishtave,
aritmetikën dhe një shigjetë në lëvizje
nëpër korridorin e gjatë
me drejtim për nga liria jashtë.
I qe bërë në ëndërr sikur po mblidhte
plaçkat e burgut, të mëkatit
në një qese të shqyer plastmas.