Fantazitë e natës
Netëve të përgjumura lindin fantazitë,
të zgjohen shqisat si asnjëherë.
Të kem një trup të veshur me muzikë,
cicërima zogjsh përhapur nëpër erë
.
Zërat e fëmijëve të dëgjoj si dikur,
tingujt e ëmbël të fjalive të para.
Duart e mia të prekin rrahjen e reve,
duart e mia të thurin edhe vargje.
Të zbuloj vargjet që ende s’kam shkruar,
ato, më të bukura mund të jenë,
magjinë e natës, dritën e yjeve,
ngjyrën e artë të hënës do kenë.
Lëkurës time dua t’i vesh,
dritën e hënës fytyrëverdhë.
Këmbëzbathur pranë një vullkani,
shpirti im të qëndrojë i fshehur.
Mes llavës të ngurtësuar dhe hirit,
të zbuloj yjet e mi,
sende pa emër duke prekur,
gjurmë gishtërinjsh të lë aty.
Dhe ashtu krejt padashje,
prek një orë të kurdisur.
Ja, shfaqet skllavi im i lumtur,
i gatshëm për çdo sakrificë.
Netëve të përgjumura lindin fantazitë,
të zgjohen shqisat si asnjëherë.
Ja, skllavi im gjunjëulur pyet:
- Ç’dëshironi, mbretëreshë!