Thursday, June 13, 2024
BallinaSportPrishtina do të bëhet me stadium të ri

Prishtina do të bëhet me stadium të ri

Prishtina do të bëhet me stadium të ri të futbollit. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama është takuar sot me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me ç’rast është diskutuar rreth projektit për ndërtimin e stadiumit të ri në kryeqytet.

Ky takim kishte për qëllim koordinimin ndërinstitucional për ndërtimin e këtij stadiumi të rëndësishëm për futbollin kosovar dhe komunitetin e Prishtinës në përgjithësi.

Ata u dakorduan për të bashkëpunuar në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për sportin kryeqytetas dhe jo vetëm.

Stadiumi i ri, i cili do të ndërtohet në Bërnicë, do të jetë i kategorisë së katërt dhe do t’i plotësojë të gjitha standardet dhe kushtet e nevojshme për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, përkatësisht të ndeshjeve të ekipit kombëtar dhe klubeve në garat evropiane.

Ky stadium gjithashtu do të jetë një vend i përshtatshëm për organizimin e aktiviteteve tjera sportive dhe eventeve të ndryshme.

Rama dhe Ademi kanë rënë dakord që Federata e Futbollit e Kosovës ta ketë përgjegjësinë për menaxhimin e stadiumit të ri, në të njëjtën mënyrë siç ndodh me stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ata diskutuan po ashtu edhe për mirëmbajtjen e stadiumit ekzistues, gjendjen e fushës dhe organizimin e ndeshjeve kombëtare dhe të ekipeve që garojnë në Evropë.

Kryetari Rama e shfaqi interesimin e tij për zhvillimin e sportit, veçanërisht futbollit, në kryeqytet, duke e parë atë si sportin më të popullarizuar në Kosovë.

Të dy krerët e institucioneve janë zotuar që të krijojnë kushte sa më të mira për sportin në kryeqytet dhe të përkushtohen bashkërisht në organizimin sa më të mirë të klubeve të kryeqytetit.

Gjatë takimit, presidenti Ademi i ka dhuruar kryetarit Rama fanellën e kombëtares së Kosovës dhe e ka falënderuar për gatishmërinë e tij për të kontribuar në zhvillimin e futbollit kosovar.

Ata kanë shprehur vullnetin për të nënshkruar Memorandum të Bashkëpunimit në përputhje me praktikën e krijuar me komunat e tjera të Kosovës.

Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e futbollit kosovar dhe në ngritjen e nivelit të klubeve në kryeqytet.

Derisa stadiumi nacional ka mbetur veç një ide dhe nuk është duke u jetësuar, në Prishtinë do të nisë ndërtimi i një stadiumi tjetër të ri. /Gazeta Express/

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT