Filozofia e së dielës
Të gjitha hapat e tu të sollën këtu
duke të bërë të ditur, si një magjistar
të dhënë pas fantazisë dhe njohurive
Duke kërkuar të bësh zbulime brenda vetes
u bëre aq i vdekshëm
sa fillove të urresh vrullin e gëzimit
dhe pret përsëri të gjesh gurin e së vërtetës
për të sfiduar iluzione çmenduritëse
Nganjëherë je i komplikuar si një grimcë rëre
që turbullohet nga ujërat e ndenjura
të shiut, që e refuzon si fenomen natyror,
por pranon të arrish në bregun tjetër,
sado që është i largët, duke u lagur deri në asht
Ti qesh dhe përqesh veten duke ironizuar
ditët e ngjashme,
zbulohesh duke grisur lëkurën
për t’ u fshehur pas dhimbjes
I dashur njeri, ti kuturis të jetosh
brenda ose jashtë jetës
si të vijë, duke kërkuar pasqyrën
që tregon më të vërtetë,
por të ndryshëm nga vetja….