Thursday, February 6, 2025
BallinaVitrina e libritMarissa Rrasa Ashiku--Më mjafton ti-

Marissa Rrasa Ashiku–Më mjafton ti-

-Më mjafton ti-

Nuk mjafton
të mbledh puthjet,
që përplasen
orëve të thërrmuara
në përqafim,
kur butësia e shikimit
egërsohet,
mbi shpatullat e pafajësisë…


dhe malli i këndon heshtjes…


Nuk mjaftojnë vitet…
për të mbledhur
grimcat tona,
si flluska sapuni
që vallëzojnë
në lindje,
e treten në perëndim,
shpërndarë
me frymën e erës…


Se ne s’i përkasim as vetes.


Nuk mjafton
një kohë e limituar
për të parë
fytyrën e vërtet
të një gënjeshtre
të palpueshme,
tek trazon
të brendshmet e mia…
deri në zvenitje…


Papritur, dhe hija t’zhvishet prej trupit…

Nuk mjafton një jetë…
për të kuptuar
qeniet
e ndara në dysh,
si gjysmë hyjni
e gjysmë njeri…,
t’braktisur nga e ardhmja,
nga një gojë
që puth të tashmen…


e me frymë shpirtëzon ditën …


Por me ty….
… me ty
më mjafton të jetoj
vetëm një herë brenda jetës,
…për të gjitha herët
që ajo më rrëshqiti,
si rërë
prej gishtërinjve
e më mbajti jashtë saj…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT