NDËSHKIMI.
(Fabul).
Pa, hyri në një stan nepërkëza me pika,
zvarrisur, krejt e fshehur, pa bërë asnjë zë.
Burimin që rrjedh, ujë- gëzimin që sjell dita,
e mbushi plot me helm , u hap helmin në të.
Dhe pinë ujë delet, e piu dashi përçor,
u shtrinë përdhe të gjithë nga uji i helmuar.
Bariu vinte rrotull, me fyell, inatçor,
s’kish ndodhur asnjëherë, kaq egër i sulmuar.
Pa mori qumësht-mjaltë, i dha secilit pak,
dhe ndenji gjithë natën, gjer ylli iku tej.
U ngrit kope e gjithë, u ndez burimi flakë,
u ndezën lart mbi kokë dhe yje edhe qiej.
Shpëtoi kopeja paq, qeshte dhe vetë stani.
Ç’ish nisur për t’u bërë rinisi dhe njëherë.
I ngriti lart dy duart, edhe u lut çobani:
Që kush ia kish me hile, t’i bëhej Zoti ferrë!
Dhe lart nga qiell i ndritur, rrufeja zbriti poshtë,
e dogji shkrumb nepërkën, e flaku tej mbi gurë.
Sikur të thosh, nëse, ti bën një gjë të poshtër,
mirësinë dhe dinjitetin nuk mund ta mposhtësh kurrë!