Friday, December 27, 2024
BallinaSport“Presidenti Duka e di, na duhet një stadium 80.000 vendësh”! Jasiri tregon...

“Presidenti Duka e di, na duhet një stadium 80.000 vendësh”! Jasiri tregon se çfarë i tha Armand Duka pas Çekisë: Asano, hajde ulu pak këtu…

Emisioni i “Sport Ekspres”, “Koha Shtesë”, vazhdon me intervistat kushtuar Kombëtares. Këtë herë ishim me lojtarin që të gjithë tifozët e dashurojnë, Jasir Asani. Është pikërisht ky njeriu që ka ngritur peshë zemrat e tifozëve shqiptarë me tre golat e çmenduar që ka shënuar nga distanca. Në një rrëfim të gjatë, Asani ka folur për të gjithë prapaskenat dhe gjithë emocionet e përjetuar te Kombëtarja

“Kur erdhi ftesa e Shqipërisë për herë të parë kisha shumë emocione të forta. Qëndrova dy ditë pa gjumë në Korenë e Jugut. Nuk më rrihej në një vend, ngrihesha dhe lëvizja nëpër shtëpi kot, mezi prisja të vinte dita e grumbullimit. Pastaj shkova te grumbullimi dhe mbaj mend që ditën e parë isha shumë i turpshëm.

Kisha shumë turp, madje nuk arrija dot që ta shikoja në sy Silvinjon dhe lojtarët e tjerë të Kombëtares.
Euro 2016? Unë ndiqja çdo ndeshje të Shqipërisë, ne shqiptarët e Maqedonisë e dashurojmë Shqipërinë. E kam ndjekur nga televizori me shokët, nëpër lokale. Ka qenë ndeshja me Zvicrën që nuk më harrohet, rasti i Gashit, do doja shumë që ai top të bëhej gol. Por ndonjëherë edhe fati të lë. Ata shokët që kisha aty më thonin: “Po të ishe ti aty do ishte gol”. Po është shumë e lehtë për ta thënë nga televizori, por të jesh aty, është shumë e vështirë.

Kur isha pjesë e Kisvarda në Hungari, kemi luajtur në Conference League kundër Kairat, e kemi mundur dhe pastaj kishim Molden. Ndeshjen e parë kemi humbur atje dhe pastaj fituam në Hungari 2-1. Trajneri i Moldes më ka pëlqyer shumë dhe më donte në ekip. Më pas mësova se trajneri i Moldes e kishte shok të mirë Zabaletën. Në ato kohë Zabaleta ishte afër zyrtarizimit me Silvinjon te Shqipëria dhe i kishte thënë: “Keni një lojtar shumë të mirë shqiptar këtu te Kisvarda”. Ai moment ndryshoi gjithçka.

Presidenti Armand Duka ka bërë shumë punë për Shqipërinë, është një njeri i mirë, rri pranë nesh në çdo kohë dhe na motivon. Kur bëra golin kundër Çekisë dhe shkuam për të ngrënë darkën, Duka më thërret: “Asano, hajde ulu pak këtu”. Vetëm një gjë, nuk e prisja të gjuaje nga aty, nga aq larg. Po kur e pashë topin në rrjetë, thashë vazhdo godit se je mirë”. I thashë: “Duhej të godisja në atë moment, pashë edhe se portieri po priste të gjuaja në krahë tjetër, siç kisha bërë dy golat e tjera”.

Më tha se duhej të vazhdonim akoma me dy ndeshjet e fundit që na kishin mbetur, më tha se duhet të vazhdoj të punoj dhe të mos ndalem këtu pasi fanella e Shqipërisë është shumë e rëndë. I thashë se do të vazhdoj të vë shpirtin në fushë për Shqipërinë. Air Albania është stadium fantastik, por 23.000 vende, për një orë futen të gjithë tifozët brenda. Edhe presidenti e di që ne na duhet një stadium më i madh tani, tani shqiptarët e mbushin edhe një stadium 80.000 vendësh”, tha Asani mes të qeshurave. /Sport Ekspres/

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT