Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 53 personave për masakrën e Mejës dhe fshatrave të regjionit Reka e Keq, shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një njoftimi dërguar mediave, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur sot aktakuzë për masakrën e Mejës dhe fshatrave të regjionit Reka e Keqe, të Komunës së Gjakovës.
“Prokuroria Speciale njofton se në periudhën 27-29 prill 1999, ishte zhvilluar një operacion i përbashkët dhe mirë i organizuar i UJ-së dhe MPB-së, në të cilin morën pjesë edhe anëtarë të grupeve paramilitare. Në atë operacion janë vrarë treqind e shtatëdhjetë (370) civilë që nuk merrnin pjesë në luftime në momentin e vrasjes.
Përveç vrasjeve, operacioni përfshinte dëbimin e mijëra civilëve nga ai regjion, djegien e shtëpive të tyre dhe dërgimin e dhunshëm për në Shqipëri. Këto dëbime ishin të përfshira me keqtrajtime dhe konfiskime të dokumenteve personale të dëbuarve. Për këtë krim janë akuzuar pesëdhjetë e tre (53) të pandehur prej të cilëve gjashtëmbëdhjetë (16) ishin të pozicionuar në strukturat të rëndësishme ushtarake dhe policore të Serbisë”, thuhet në njoftim.
Të pandehurit me aktakuzë akuzohen për vepër penale në bashkëkryerje, Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminiuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 pika 1.1, 1.2, 14, 1.6, 1.8, 1.9 nën paragrafi 1.4, 1.6, dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./gazetametro.net