Nga Bedri Tahiri
Mos shikoni plagët e mia,
Por shikoni ku i ka kufijtë Shqipëria!
(Mujë Krasniqi)
-Merre çiftelinë e krisja këngës, o trimosh, se kullat tona nuk durojnë heshtje e zymtësi.
-Sa ta pijë Hamza kafen, o komandant, do t’ia krisim e do t’ia themi deri sa të zbardhi dita.
Dhe, s’bëhej pak e tingujt lozonjarë shpërthenin vrullshëm, duke i dhënë shpirt odës së madhe të Jasharëve:
Oj Kosovë e bukur do ta sjellim dritën
Gryka jonë e skuqur ngjall Azem Galicën
Toka jonë e djegur po lahet me gjak
Ty ta falim jetën e na duket pak…
Bacë Shabani, ulur këmbëkryq, bri oxhakut çemerli, si një orakull ndjellamirë, dëgjonte vëmendshëm dhe ngazëllehej e përjetonte me shpirt. Zemra i bëhej mal me dëborë. Sytë nuk ua ndante djelmoshave, tek të cilët shihte lirinë…
Me një lule s’vjen pranvera
Muaji i bukur i qershive zakonisht vjen me këmbë të mbarë. Ashtu erdhi edhe ai i vitit 1967. Kur hodhi çapin e gjashtë, Çabiqit iu shtua edhe një çifteli, iu shtua edhe një pushkë, iu shtua edhe një gëzim: U lind Mujë Krasniqi!
Ç‘është e vërteta, nga kjo derë fisnike, edhe shumëherë të tjera rrodhi gëzimi i jetës. Me një lule s’vjen pranvera,- thoshin Halili e Shehidja, dhe shtonin hisen e tyre e të atdheut. Ndryshe as që mund të mbijetohej zezona që na kërcënonte mbi kokë. Ata lindën njëmbëdhjetë fëmijë. Satanait, që planifikoi ndryshe, i therri fort në zemër dhe klithi përvajshëm: Më mundi Nëna shqiptare!
Djaloshi topolak rritej me ëndrra të mëdha lirie. Shpirti i tij njomëzak depërtonte thellë e thellë në labirintet e mugëta të historisë kombëtare. Aq shumë u mishërua me këngët historike saqë edhe e morën me vete, e bënë histori…
Lisat e mëdhenj i rrahin erërat më shumë, andaj edhe i lëshojnë rrënjët më thellë. Muja herët u ra në sy pushtetarëve serbosllavë. Veprimet e tij atdhetare rrezatonin në gjithë rrethin. Në çdo protestë e demonstratë ishte i pari. Veçan u dallua në ato të vitit 1989. Edhe përndjekjet ndaj tij u shtuan. Por, kot. Arra e fortë nuk thyhej lehtë. Atdhedashuria e tij veçsa po rritej e lartësohej deri në ideal jetësor. Tashmë e ndihmonin edhe vëllezërit: Aliu, Avniu e Afrimi.
Kur lëvizja çlirimtare grisi tisin e ilegalitetit, Muja sërish i pari në grupet e armatosura. Në nismë, për ca kohë, qëndruan në truallin e shqipeve, në Prekaz. Adem Jashari kishte besim të plotë tek ai dhe e ngarkonte me detyrat më të rënda. A ndalej dielli të ndriçonte? A pushonte Drini i Bardhë? Aq mund të ndalej a të pengohej Mujë Kraniqi! Orët e tij frymonin në Drenicë, në Dukagjin e në Pashtrik.
Lajmëtari i ditës së re
Agu i së mërkurës u gdhi fare i zymtë. Qielli i mërrolur veçsa s’lotonte. Drenica ende po nanurisej në djepin e ëndrrave liridashëse, kur lubia e përtej Tunës po futej në zemrën e saj…
Sakaq, te lugina midis Llaushës, Rezallës së Re e Rakinicës, dheu u trand në themel.
-Priti matanë, o komandant, erdhi një zë nga maja e malit përballë.
Edhe tri fishkëllima therrëse, shenja të moçme sulmi, jehuan dhe u përcollën tej e tej lugjeve gojëmëdha.
-Krisja malësorçe, o Mujë kreshniku,- thirri komandant Adem Jashari, që e kishte fare pranë, duke i dhënë zjarr mitralozit të madh. Helikopteri i gicur në bark, iku lart. Krisma e britma. Tym e flakë. Djajtë e humbën fare. Kukulelet e tyre i përpiu Manastiri heshtak…
Dhe, të nesërmen, në varrimin e mësuesit Halit Geci, njëri nga lajmëtarët e ditës së re, u bë Mujë Krasniqi…
Kacafytja
Zjarri i luftës mori krahët e dragoit. Kudo luftohej: në Drenicë e në Llap, në Dukagjin e në Shalë të Bajgorës, në Anadrini e në Pashtrik. Pena e poetit skalit vargjet:
Kushtrimi del e pushton malet
Në njëqind Drenica ndezën idealet.
As djaloshi i aksioneve të rrufeshme nuk pushonte dot. Trimave u prin fati, thuhej qysh moti. Ashtu ishte, edhe atë e gjeje kudo e kurdo në ballë të fronteve e të betejave. Sa e sa herë u plagos. Por, ashtu, me nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë në shtat, kacafytej me bajlozat e zinj, të cilët mëtonin ta nëpërkëmbnin nderin e trojeve tona stërgjyshore. Shumë punkte policore i hodhi në erë e shumë arkivole nisi për në Shumadi.
Më 5, 6 e 7 mars 1998 iu ça zemra në dysh. Medet, nuk mundi t’i shkonte komandantit në ndihmë, por kolonës së gjatë serbe, që vinte nga Klina, ia preu rrugën. Bashkë me bashkëluftëtarët e tij shfreu dufin mbi samnabulët e hekurt, duke i paaftësuar. Snjaperi i tij ia kënaqte shpirtin. Për bacë Shabanin!…Për Hamzën!…Për Adem Jasharin!…Për gjithë të pavdekshmit!…Kështu i numëronte ata që i çonte në atë botë.
Edhe më vonë avazi i njëjtë. Luftë, beteja, sakrifica. Me muaj e mbajti vijën luftarake Kijevë-Dollc-Dush. Dy muaj kalitje në frontet e luftës është njësoj si të mbarosh një akademi ushtarake,- thoshte një oficer i lartë shqiptar. Në betejën e korrikut mbi shtatëmbëdhjetë orë qëndroi i palëkundur në istikam. Stoicizëm i pashoq. Taktika e tij luftarake qe e thjeshtë dhe unikate: i pari futej në front e i fundit tërhiqej. Nisur nga kjo, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, më 19. 8. 1998, e emëroi Komandant të Brigadës 113. Rroftë Komandant Kapuçi!- brohoriten luftëtarët që e donin shumë, saqë jehuan edhe male e fusha përreth.
Trimi sypatrembur në beteja përdorte edhe armën tjetër- këngën. Kur këndonte për legjendarin, të gjithë ngriheshin në këmbë dhe ishin të gatshëm për t’u hedhur në grykë të topit:
Na u bën kala kullat me bedena
Prapë n’këtë tokë po rriten Hamza e Adema
Amaneti i tyre ta fitojmë lirinë
Me pushkë mbrojmë Kosovën e nderojmë Shqipërinë.
Koha ecte me ritmin e saj e ofensivat serbe nuk kishin të ndalur. Edhe numri i vullnetarëve rritej e rritej. Armët e municioni mungonin. Komandanti harroi plagët dhe u priu drejt Alpeve Shqiptare.
Rënia e madhërishme
Vallë ç’kishte Hasi i Thatë i Prizrenit që lotonte në heshtje mëngjesin e 14 dhjetorit 1998?! Këtë kurrë nuk e kishte pasur zakon. Lotët nuk ia pa kush as kur osmanët e zhvarrosen më të dashurin e tyre, Pjetër Bogdanin e madh, as kur cerberët nga pusia ia vranë atë Shtjefën Gjeçovin mendjendritur. E sonte ç’kishte që ishte ligështuar aq shumë?! Një gjëmë më e madhe se ato e kishte pllakosur këtë fundvit të acartë. Një tog ushtarësh të lirisë kishte ngelur në pritat kobtare serbe…
…Ora 2 e 10 minuta. Terri i natës skëterrë u bë copë e grimë. Vëzhguesit pararojë ranë në pritë!
-Tërhiquni prapa!- briti me gjithë zë komandant “Kapuçi”, duke zënë pozicion me shpejtësi rrufeje.
Dhe, sa keq! Lufta u ndez ashpër. Qielli u zbardh nga flaka e armëve. Komandanti, si përherë, në mbrojtje të bashkëluftëtarëve. Fare pranë edhe i vëllai, Aliu, edhe dhëndri Beqiri, edhe …
O Zot! Gorozhupit i treti fare qetësia. Gjaku i lirisë ujiti gurët e kufirit të mallkuar vëllandarës. Shumë lulëkuqe lirie stolisen borën e ngrirë. Edhe nëntë të zënë robër…Por, fati ua zgjati dorën. Në Shalë u kapën tetë ushtarë serbë. Dhe, pasoi këmbimi i tyre. Një barazvlerësim shtetesh…
-Jam krenar që pata djem të tillë!- thotë xha Halili pasditën e ftohtë të 20 dhjetorit 1998, kur po i varrosnim në Kodrën e Dëshmorëve, në Polacin e Hasan Prishtinës…
Lavdi për jetë e mot komandant Mujë Krasniqit dhe luftëtarëve të lirisë të të gjitha periudhave historike!