Shtëpia e familjes Bërbatovci në Fushë Kosovë ishte cak i hajdutëve të mërkurën mbrëma.
Bile, kjo u bë ndonëse kryefamiljarja Fatime Bërbatovci ishte e vetme në shtëpi duke shikuar televizor.
Gjatë kësaj kohe dikush po i vidhte stolitë e arit në katin e dytë, dhe këtë 64-vjeçarja e vërejti vetëm kur dëgjoi një zhurmë që e bëri të ngjitej lart.
Aty ajo e pa plaçkitësin duke ikur shkallëve. E fati në këtë fatkeqësi ishte se djali i shtëpisë u kthye nga puna pikërisht në atë moment, dhe e zuri hajnin duke ikur me duart plot.
Grabitësi ia dorëzoi stolitë familjarëve, ndonëse në polici iu gjetën edhe disa të tjera që i kishte fshehur në të brendshmet e tij.
Gjërat e vjedhura, vlera e të cilave kap shifrën 4 mijë euro, u kthyen më pas te pronarët.