Saturday, July 27, 2024
BallinaVitrina e libritBotimet e rejaKUR ÇELIN ZAMBAKËT - EQEREM CANAJ PËRKTHYER NË ITALISHT NGA ANGELA KOSTA

KUR ÇELIN ZAMBAKËT – EQEREM CANAJ PËRKTHYER NË ITALISHT NGA ANGELA KOSTA

Sapo është botuar nga Shtëpia Botuese CTL TROVATELLI LIVORNO libri me poezi QUANDO FIORISCONO I GIGLI – KUR ÇELIN ZAMBAKËT i poetit Eqerem Canaj përkthyer në italisht nga Angela Kosta. Libri i ri “KUR ÇELIN ZAMBAKËT ”, vëllimi poetik i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar Eqerem Canaj, paraqitet tek lexuesit me një gamë mjaft të gjerë, i cili trajton tema dhe aktualitete që i përkasin të shkuarës dhe së ardhmes, të tashmes e të përditshmes të ekzistencës sonë. Poezitë e këtij libri hyjnë drejt e në zemër dhe mbesin gjatë aty. Nëpërmjet vargjeve të tij të mrekullueshme, autori shqiptar Canaj na shpie në një botë krejtësisht ndryshe nga ajo italiane, duke shqyrtuar tema që i përkasin një brezi me peripeci, të një populli të tërë, i cili përballet me to, i përmbledh, rritet dhe piqet ndër vite e shekuj. Eqerem Canaj e ngjyen penën e tij me shumë nostalgji për të gjitha këto, duke kompozuar vargje të pasura me metafora, të plota e të përziera me gëzim, trishtim jo vetëm për të shkuarën, por edhe për të sotmen, të asaj periudhe që i përket të djeshmes, një periudhe të largët, tashmë jashtë realitetit edhe nga vetë koha, meqenëse bota, zakonet dhe rrethanat kanë ndryshuar tejdukshëm. Këtë e vërejmë në vargjet e tij, shprehimisht të bollshme ku spikat patriotizmi, në disa rrjedhojnë ndodhitë gjatë fëmijërisë, adoleshencës, rinisë së tij, derisa arrin majat e “qenies”, atë “unë” që kërkon “pse-në” e gjithë këtij kalimi kaq të vrullshme të viteve, duke na shpënë në fund në braktisjen totale, në vetmi të plotë edhe ndaj vetvetes. Së bashku me Canaj, ne eksplorojmë botën sociale të të rinjve të sotëm, disa madje pa ambicie për të gjetur forcën që të ndryshojnë sadopak fatin e një vendi që nuk ofron asgjë, duke gjetur rrugën më të lehtë, atë të largimit jashtë kufijve, me vetëdijen e plotë që, megjithatë një ditë do të rikthehen. Në gjithë këtë panoramë trasparente, Canaj mbetet pa marrë asnjë përgjigje, ashtu sikurse edhe të gjithë ne të tjerët. Nëpërmjet vargjeve të tij të larmishme, autori i shquar na udhëheq, na udhëzon dhe na bën të vetëdijshëm që të kuptojmë dhe pranojmë se karma ekziston, pavarësisht se ndonjëherë nuk i kushtojmë vëmendje, ose nuk e kapim atë në çastin e duhur (carpie diem), duke e shmangur ose duke e lënë mënjanë, duke e kyçur pa vetëdije brenda ndërgjegjes sonë, të paaftë për t’i qenë mirënjohës, edhe pse ajo rrënjoset, bëhet këmbëngulëse, e fortë dhe e heshtur ditë pas dite, derisa arrin momenti në të cilin shfaqet, ndonjëherë në mënyrë të padukshme dhe të befasishme, duke na dominuar në vetvete e duke na paraqitur e parashtruar llogarinë e gjithçkaje që kemi përjetuar dhe përshkuar në jetë, me veprimet tona, dëshirat dhe pasuritë tona materiale dhe interiore. Autori Canaj e posedon për mrekulli këtë në vetë qenien e tij dhe duke shkruar për vetveten, na ndihmon edhe ne të gjithëve të reflektojmë se jeta nuk është gjë tjetër veçse një blic ku çdo gjë kalon sa hap e mbyll sytë. Të gjitha këto poeti na i paraqet në vargjet e tij me mjeshtëri të madhe e të përsosur, unike në llojin e zhanrit të vet do të theksoja. Në poezitë e autorit, Nirvana pasqyrohet, ndryshe nga ajo që njohim, jo e “fikur”, jo në letargji të ndërgjegjes dhe ndjenjave tona; kjo përmendet dhe shprehet në shumë vargje melankolike, madje ndonjëherë dëshpëruese për vitet që kalojnë kaq shpejt, për ato që lëmë pas por i ruajmë mirë në arkën e çmuar të kujtimeve tona si përshembull: puthjet e para të dashurisë, buzëqeshjet e prindërve tanë, të cilët edhe pse nuk kishin asgjë në dollapin e ushqimeve, zotëronin mirësinë në shpirt, duke na e transmetuar me aq dashuri, apo opingat e lidhura me tela që e bënin njeriun të dukej më shumë zbathur sesa mbathur, kjo, shumë e pakuptueshme për brezin e sotëm do të nënvizoja, pasi epoka e re ka një gjykim tjetër përsa i përket bollëkut. Në fund, Canaj na bën të hasim në arritjen e moshës së shkallës së tretë: pleqërinë, mjaft komplekse në vetminë e saj të plotë dhe kjo reflekton me përpikmëri në vargjet e autorit, i cili na çon në një botë të brendshme vetjake, ndonjëherë të turbullt, duke u gjendur në “sheshin e jetës”, duke vëzhguar rrethinat e vendit të tij, duke dëgjuar me vëmendje atë heshtje shurdhuese, duke mos pasur më miq për të shkëmbyer qoftë edhe fjalë, sepse janë të gjithë emigrantë ose kanë vdekur. Por, përtej të gjithave këto sa thamë më sipër, poeti i atdheut të shqiponjave dhe të shkëmbinjve, na çon nëpërmjet vargjeve të tij edhe në një oaz gjigant dashurie universale, aty ku natyra shkëlqen më shumë se kurrë, dashuria për të afërmit, dashuria për vetë tokën, mëmëdheun e dashur, të lavdishëm dhe krenar dhe, le të ndalemi këtu për një çast… autori na përshkruan magjepsshëm duke na shpënë në kështjellat e lashta, aty ku edhe sot brohoritet lavdia e një populli të tërë, i cili u përball dhe luftoi duke mbrojtur me vetë jetën dhe gjakun e tij idealin e lirisë, dëshirën për të mos iu nënshtruar kurrë pushtuesve, (të shumë gjatë shekujve), duke i mbijetuar diktaturës gjysmëshekullore, ashtu sikurse faktorëve të natyrës, si tërmeti apo përmbytjet, duke iu drejtuar të Plotëfuqishmit teksa postulon “pse duhet të ndodhin të gjitha këto”? Asgjë nuk i shpëton këndvështrimit të autorit tonë, i cili na pasqyron plotësisht çdo detaj të asaj që jetojmë, përplaset me jetën, hallet e përditshme, problemet familjare, ato sociale gjithashtu, të ngulitura në rrënjë, zakone, tradita, në luftëtarët trima, madje duke shkuar përtej gjithësisë, teksa ndalet gjatë në bukurinë e veçantë dhe të egër të detit jugor të Shqipërisë, duke cituar disa herë edhe vendlindjen e tij. Eqerem Canaj, (kjo jo vetëm për shkak të përvojës së tij të pasur personale, por edhe të formimit të tij) reflekton dhe mbyll nëpërmjet veprës gjithë perspektivën e jetës në një qark vicioz, me pasojat e saj të thella, duke nxjerrë kështu në pah pjesën më të mirë që ajo na ofron. Me këtë, autori na dërgon një mesazh të madh shembullor dhe pozitiv: e gjithë pasuria materiale shumëfishohet me zero në krahasim me pasurinë e shpirtit. I uroj lexim të këndshëm të gjithë lexuesve të këtij libri të jashtëzakonshëm dhe me vlera. Vështrimi dhe përkthimi i librit nga Angela Kosta Akademike, shkrimtare, poete, eseiste, kritike letrare, redaktore, promovuese, gazetare

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT