Sunday, December 22, 2024
BallinaVitrina e libritCikël poetik me vargjet e poetit Nikolle Loka

Cikël poetik me vargjet e poetit Nikolle Loka

Përtej universit tonë të vogël
Zgjasim krahët për një përqafim të largët,
që kurrë s’do ta arrijmë…
e në krahërorin tonë që zbrazet përditë,
çvishemi nga ëndrrat që s’i pamë,
nga dëshirat që s’i patëm,
nga iluzionet dhe dashuritë.
Ndërrojmë kahjen,
braktisim tokësorët e kthehemi nga yjet.
Me krahët lart,
provojmë ndjesitë e një shtegtari të verbër,
kërkojmë një shteg të vetëm…
ku thonë se udhëtimi zgjat plot një shekull,
nga larg na verbuan yjet!
Zgjasim krahët për një përqafim të largët,
para se t’i mbyllim sytë…
Përtej universit tonë të vogël,
kërkojmë një vend për të gjitha dashuritë.

Ujë i mirë
Thonë nuk rrjedh askund i njëjti ujë,
po s’ke si ta njohësh atë ujin që ti doje,
në mbrëmje ujëvara kapërcen në delir,
dhe merr pak diell,
pak perëndim, një premtim e një fjalë goje.
Thonë se në darkë gjen prehje ujë i mirë,
dhe sjell krejt brishtësinë e bjeshkës,
për një kohë lutje,
një dëshirë,
nën hije krojesh
që fshehin magjinë e së djeshmes…
Pastaj ikin të gjitha,…
për tu rikthyer të nesërmen sërish…
Në të njëjtën stinë me Doruntinat,
vijnë ndjenja nëpër ujë,
frymëzimet, dobësitë…

Nëpër shi

Hapin e hedh nëpër shi si për mëshirë,
për motin krijon mendim të keq,
rrugën shmang
kërkon pak kohë të mirë,
ndërmend të vjen një kuvend me pleq.
Në atë pezmin tënd mbetet diçka nga shiu,
dhe gjurmët harrohen mbi asfalt,
kjo botë e vogël e njeriut,
ëmbël herë idhët,
zvogëlohet sa një çadër!
Piklat e ujit të fshihen nëpēr flokë,
dorën ua hedh e nuk të laget,
veç çadra sheh,
njerëzit duken pa kokë,
e ndjen se nëpër shi mendimi plaket!

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT