Molla edhe kënga
I mblodha mollët e ëmbla,
I bëra vargje si kënga,
Ashtu siç ma kishte ënda,
Ashtu si molla dhe kënga,
E kanë ëmbëlsirën brënda,
I duan pleq e të rinj
Edhe thëllëza në brinjë,
Prandaj nuk u humbet fara,
Lum kujt i dalin përpara,
Janë si ugari i plugut,
Si të veriut dhe të jugut,
Lum kush mbjell një mollë në baçe
Dhe këndon një këngë labçe,
Krenaria e malësisë
Është jehona e çiftelisë,
Në gjithë hapsirën shqiptare,
Mbjellin mollë e thurrin vargje,
Kënga zëri i së vërtetës,
Molla si simbol i jetës,
Që të dyja sjellin paqe,
Thurrin këngë e bëhen vargje.
ISHA MBRET NË PUNËN TIME
Kur të vijë ajo ditë,
Që të shkoj në atë jetë ,
Dhe pse jam një gjë pa frymë,
Veten do ta ndiej mbret.
Kur të vijë ajo ditë,
Që të më thonë nur e rahmet,
Dhe pse do jem një kufomë,
Prapë se prapë do jem mbret.
Kur të vijë ajo ditë,
Kush ka gabuar do të falet,
Prapë unë do jem mbreti,
Se mbi mua janë veç malet.
Kur një ditë të mos jem,
Kush do vijë mbi varrin tim,
Unë prapë do jem mbret,
Do jem mbret në emigrim.
Kush s’më deshi dhe më shau,
Kot i derdh dy pika lot,
Unë prapë do jem mbret,
Dhe pse shkoj në tjetër botë.
Kush s’më deshi në këtë jetë
Dhe më fyeu me fjalë të rënda,
Unë prapë do jem mbret,
Dhe pse jam aty brenda.
Kujt në jetë nga xhelozia
S’i pëlqeu rruga ime,
Unë s’isha në fron të mbretit,
Isha mbret në punën time .
MALLAKASTËR, TUNGJATJETA
Shkrimet për ty s’kanë të sosur
Ashtu si vetë historia .
Ngrysem e gdhihem me ëndrra
Çdo natë për viset e mia.
Shkrimet për ty s’kanë të sosur
Si uji që zbret prej malit.
Ushqimin e marr nga ti,
Si nëna që i jep djalit.
Shkrimet për ty s’shterojnë kurrë,
Sa mbi tokë të jetë jeta.
E them me shpirt e me zemër,
Mallakastër, tungjatjeta!
Shkrimet për ty janë burime,
Burime që s’shterojnë kurrë.
Ku gruaja i tha vetes grua,
Burri i tha vetes burrë.
Shkrimet për ty nuk do ndalen,
Se je një det i paanë,
Djemtë e tu s’deshën lëvdata,
As spaleta e as famë.
Djemtë e tu dolën në ballë,
Në ballë ku luhej me jetën.
Kush nuk ta di historinë,
Nuk e di as të vërtetën.
Për Mallakastrën martire,
Për Mallakastrën me besë ,
Lapsi kurrë s’do më pushojë ,
Gjer atë ditë që të vdes.
Sa të jetë dielli mbi tokë
Dhe hëna që do ndriçojë,
Mallakastra me lavdi
Ka lindur dhe do të rrojë.
Ndaj kudo këmba më shkeli
Brenda teje dhe përjashta,
E kam thënë me krenari,
Jam bilbil nga MALLAKASTRA .
UNË E NJOH FIJEN E BARIT
Zog i vogël në dritare,
Ulesh e ngrihesh çdo ditë,
Më sjell lajme mbarëshqiptare,
Apo vjen për vizitë ?
Mban në sqep një fije bari,
Këputur nga vendi im,
A dikush ta dha të ma biesh,
Të më kujtojë në emigrim ?
Unë e njoh fijen e barit,
Është bar nga vendet e mia,
Me të loza edhe qava,
Me të më iku mërzia.
Unë i njoh vendet e mia
Edhe fushat tejembanë,
Të dy detet që e lagin,
Karaburun e Sazanë
Unë i njoh pyjet me drurë
Edhe livadhe e korije,
Unë i njoh dhe egërsirat
Që rrinë poshtë tyre nën hije.
Unë e njoh ujin e kristaltë
Që vjen prej rrjedhës së lumit,
Unë e njoh rërën e tyre,
Të Devollit e të Osumit.
Unë e njoh ujin e bekuar
Që vjen lart prej burimit,
Siç njoh të Gjanicës sime,
Njoh dhe rrjedhën e Shkumbinit,
Unë e njoh ujin e lumenjve,
Se mban erë Shqipëri ,
Dhe të Vjosës, dhe të Bunës
Drinit të Bardhë e Drinit të Zi.
Unë e njoh peshkun e lumit
Dhe të detit me patjetër,
Dhe ata të vegjlit fare,
Mesatarë edhe të vjetër.
Unë e njoh gjinën e kuqe
Edhe gurët e stërrallit ,
Edhe vapemin e bardhë,
Dhe kulmakun e moçalit.
Unë e njoh gjithçka është imja,
Edhe drurë, edhe gurë,
Ndaj çdo natë i shoh në ëndërr,
Nga mendja s’më hiqen kurrë.
Edhe ajo fije bari
Që bie çdo ditë në dritare,
E kuptoj që është imja,
Vjen nga viset shqiptare.
Ndaj po s’më gjete te vendi,
Ku ulem çdo ditë e shkruaj,
Cicërit dy a tri herë,
Kënga jote do më zgjojë.
Dhe nëqoftëse do të bjerë
Fija në mes të mullarit .
Ti të jesh plotësisht i bindur,
Se unë e njoh fijen e barit.