RRUGA E JONË
Nëpër rrugën tonë patëm sfida
erërat fryenin nga anë të ndryshme
por ndodhte të kishim edhe prita
ne ecnim fushave shumëngjyrëshe.
Edhe kur dielli përcëllonte më vapë
ne strukeshim nën hijen e pemëve
sa e sa herë drejt teje erdha me vrap
sepse ty të kisha gjithnjë në mendje.
Ndodhte që dimrit stuhitë na ngrinin
që ne të mos ecim rrugës së vjetër
por ne nuk u ndalëm,diellin e prisnim
sepse dashurinë e kishim në zemër.
Buzë detit të shtrova rrugën me lule
që ti gjithmonë i doje të kuqet shumë
e unë doja shumë të ishe ti fatlume
kur je e lumtur,i lumtur jam dhe unë.