Çfarë po kërkon në bregun e detit,
guaska të thyera apo kujtime plot?
Pulëbardhat sa larg kanë shtegtuar,
e braktisën folenë e tyre me kohë.
Ashtu si ti që në një tokë të huaj
e ngrite një strehëz me aq mundim.
Dhe pse i ftohti, shiu i vjeshtës,
malli e kujtimet depërtojnë sërish.
Nuk ka mbetur asgjë, as ajo porta
që e hapje në ëndrrat e dashurisë,
u ndryshk, e zëvendësuan me tjetër
moderne, nuk zgjon as emocion tani.
Ke ndryshuar dhe ti, s’njihesh më,
je një qiell me shtrëngata dhe re,
një shpirt mijra herë i zhgënjyer,
poete e trishtuar, mbetur pa atdhe.