Sunday, December 1, 2024
BallinaVitrina e libritHamit Taka-REFUGJATI

Hamit Taka-REFUGJATI

Mbase unë sonte nuk do të vij
Ti fike dritën kur të biesh.
E di se shtrati të duket varr
Po sqetullat prapë ti mund t’i lyesh.


Mbase as nesër në portë s’do të trokas,
Ti darkën mos e ler të shtruar
Dhe djalit, kur ta vësh në gjumë,
Përralla të frikshme mos t’i thuash.


Mbase papritur kaloj kufirin
Si një skllav i arratisur nga padroni
Dhe në tokë të huaj rrëshqas e bie
Buzë një gremine e buzë një honi.


Mbase i dehur në kabarera
Ndeshem keqas me një zezak a bjond,
Mbase diku në një skutë të errët
Pusi më zë një vagabond;


Mbase në një sofër të pa shtruar
Përtyp kotheren e urisë
A fillikat i vetëm në një tren
Rend mesnatës drejt lirisë;


Mban ky kurm në drit’ e në terr
Dhe qafa ime si qafë e djallit…
Veç kudo qofsha, në parajsë a ferr
Unë sonte flë në shtrat të mallit…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT