Zgjohem nga cicërima e një zogu pendëverdhë
Nxitoj t’ja shoh bukurinë
Largoj perdet nxitimthi me gishta të përgjumur,
Ai shfaqet i ëndërrt aty,
bashkë me qiellin e kaltër në dritaren time ,
duke kënduar.
Mrekullohem!
I zgjas duart,
por ai është zogu i lirë
dhe lirinë e ka të çmuar.
Fluturon , ikën, I veshur me diell!
Mbi supe më lë pak vjeshtë puplore…
E ndjek me sy dhe shoh
si zogu bëhet re,
pastaj bëhet qiell !