Me padurim po prisnim që të kalonte e diela dhe të vinte e hëna, se e kishim planifikuar që të shkonim eskursion në bregdetin e Divjakës, vetëm ne viti i tretë i gjimnazit. Këtë e organizonte mësuesi ynë kujdestar Gori Buzo, duke na njoftuar që të shtunën. Do të shkonim me autobusin e punëtorëve të naftës me shofer Nikolla Sopin, babain e Dafinës, që ishte me ne në vitin e tretë. Mësuesi ynë Gori ishte një njeri sportiv dhe i pëlqenin organizime të tilla që s’na mungonin gjatë gjithë vitit edhe në qytete të ndryshme të vëndit kishim shkuar. Ai na jepte lëndën e matematikës gjithashtu dhe të fiskulturës. Para shumë viteve kishte qenë oficer, kishte mbaruar shkollën e bashkuar për artilier dhe kishte qenë një ushtarak i shkëlqyer. Shumë ushtarë që kishin qenë në të njëjtin repart me Gjirin flisnin shumë fjalë të mira për të. Por në repartin ku komandant ishte Gori kishte ndodhur një aksiden. Një ushtar kishte vrarë padashje një shokun e tij dhe për këtë ishte dënuar edhe Gori me dy vjet burg me të drejtë që të kthehej përsëri në ushtri por në një detyrë më të ulët. Gori Buzo nuk u kthya më në ushtri, ndoshta për disa arsye që i kishte menduar vetëm ai, por ndoqi universitetin në Tiranë me korrespondencë njëkohësisht duke punuar edhe në bujqësi. Pasi i mbaroi studimet me nota të mira filloj si mësues në gjimnaz. Me ne sillej shumë mirë, sidomos me mua që isha i mirë në matematikë dhe nuk i mungonin fjalët inkurajuse.
Sapo kishte hyrë tetori dhe të nxehtit akoma nuk kishte ikur. Vishnim akoma bluzat me mëngë të shkurtëra dhe nga mesdita mund të laheshe në det. Kishim kaluar shtëpitë e fundit të Divjakës dhe po shikonim pamjen e bukur që po na jepte në të majtën e rrugës këneta e Karavastasë nga reflektimi i rrezeve të diellit. Dukeshin turma turma pelikanët që fluturonin dhe uleshin në kënetë. Të gjithë shikonim nga dritarja e autobuzit dhe ishim të impresionuar nga lëvizja e tyre me krahët e mëdhenj dhe nga gusha që i varej poshtë si një tollombace. Por edhe në të djathtë të rrugës shtrihej një fushë e madhe mbi tetë km. deri tek kanali që vinte nga tërbufi dhe derdhej në det. Kjo tokë e mbushur me zhukë dhe me brukë, një dru si shkurre, që nuk rritej shumë. Gjithashtu në këtë tokë rritej një lloj bari që quhej kripthë nga që ishte i kripur por që edhe bagëtitë nuk e hanin shumë. E kishin pluguar disa vite për për ta kthyer në tokë prodhuese por ishte e pamundur nga që ishte shumë e kripur.
Autobuzi kishte hyrë brënda në pyllin me pisha dhe u ndje menjëherë ajri i freskët, aroma e mersinës dhe e pishës e përzier dhe aromën e dëllinjës, cicërima e zogjëve që të fusnin në një botë tjetër, në një botë që të dehte. Pranë meje ishte ulur Marjana, që ishte e përqëndruar duke parë nga dritarja e autobuzit dhe shihja fytyrën e saj të entuziazmuar kur shikonte atë gjelbërim dhe shushurimën e pishave nga ajo puhiza e lehtë vjeshtake që rrëzonte ndonjë gjethe dhe binte sikur fluturonte poshtë si një fluturë. Marjana ishte shoqja ime e bangës dhe vajza e sekretarit të qytetit tonë. Fytyra e saj kishte marrë një ngjyrë si në rozë nga që dukej e kënaqur por edhe nga freskia e dritares që ishte e hapur e autobuzit por jo vetëm kjo. Ajo Ishte e mbështetur e gjitha tek trupi im dhe përcillte nga trupi i saj tek unë atë energji si një nxitës të emocioneve. Më përshkoi një dridhje që edhe ajo e ndjeu. E lashë veten nën pushtetin e kësaj ndjenje që po më dukej sikur po bija në një greminë dhe isha si i dalldisur nga kontakti më trupin e saj. Ishim të dy në të njëjtën gjëndje, të hutuar, të trullosur pa guxuar të shihnim njëri tjetrin në sy. Më dukej se s’do të çliroheshim dot nga kjo lloj torture. Por edhe sikur ngurronim se çdo veprim i pamatur mund të ishte e papëlqyeshme që mund të çonte në prishjen e shoqërisë sonë. Ishte si një lojë që po na pëlqente të dyve , por që nguronim të dy. Në ato çaste truri im nuk ishte në gjëndje të thoshte ndonjë fjalë. Vetëm thurte ëndërra sikur fluturonim të dy përmbi re të përqafuar se në qiell nuk na shikonte njeri. Trëmbëshim nga pëshpërimat e njerëzve, nga thashethemet.
Të njëjtën gjë ajo e bënte edhe kur ishte ulur në bankë me mua në pushimet e shkurtëra të ndërrimit të orës së mësimit sikur gjoja më pyeste për diçka dhe afrohej aq shumë sa ngjiteshin trupat tanë dhe ndonjëherë më bënte të skuqesha në fytyrë sa mund t’i bija në sy edhe të tjerëve. Këtë e kishte kuptuar edhe një shoku im Ilirian Shahu duke më shkelur syrin, më tha një ditë, se Marjana ndjen diçka për ty. E kisha kuptuar edhe unë këtë gjë. Më pëlqente edhe mua por nuk i kisha thënë asnjë fjalë asaj. Gjatë vitit të parë dhe të dytë të gjimnazit me Marjanën nuk kishim shoqëri, bile ndonjëherë ajo kishte shprehur një antipati karshi meje sidomos në vitin e parë deri nga gjysma e vitit të dytë nga që nuk njiheshim mirë. Ajo ishte një vajzë e shkathët, e bukur, e zhdërvjellët, simpatike dhe vishej me elegancë, kishte dhe trupin e bukur që mund ti shkonte çdo lloj rrobe, por edhe ekonomikisht ishte më mirë nga të gjithë ne. Babai i saj kishte qenë gjithmonë në poste shtetërore por edhe mamaja e saj ishte mësuese. Kishte edhe një motër më të vogël në klasën e shtatë. Si fëmijë e parë ishte shumë e llastuar. Ndërsa unë vija nga një fshat i vogël buzë lumit Shkumbin, tetë km larg. Babai im punonte si teknik pyjesh ndërsa mamaja punonte si guzhinjere në kopështin e fëmijëve në fshat. Kisha dhe një motër katër vjeçe më të vogël që e quanin Katja. Vitin e parë e bëja rrugën në këmbë, nëpër baltë kur binte shi, ndërsa vitin e dytë më mbajti xhaxhai në dhomën e tij tek qëndra e gazit në hyrje të qytetit. Xhaxhai kishte mbaruar shkollën për inxhinier nafte, por ishte dhe si organizator grupin amator të estradës të punëtorëve të naftës, gjithashtu kishte në ngarkim edhe sallën e kulturës, por edhe bibliotekën në qytezën e vogël të punëtorëve. Aty ishin rreth dyzet dhoma që flinin naftëtarët dhe kishte një guzhinë me sallën e ngrënies. Ndërsa familjen xhaxhai e kishte në një qytet tjetër. Aty banonin gjithashtu edhe familje të tjera naftëtarësh që kishin ardhur nga qytete dhe fshatra të tjera. Xhaxhai kishte biseduar me drejtorin për mua që të më ndihmonte duke pasur në kujdes sallën e kulturës, bibliotekën dhe të shkruaja ndonjë skeç për estradën e punëtorëve. Kështu që u sistemova duke më ndihmuar edhe me një pagë modeste për nevojat e mija dhe për ushqimin në menxën e punëtorëve. Vetëm në fundjavë shkoja në fshat tek prindërit. Mbasdite kisha kohë të studioja dhe të lexoja shumë nga që biblioteka ishte shumë e pasur me libra të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Nga kjo po bija në sy tek mësuesët sepse isha më mirë në mësime nga të tjerët, pothuajse në të gjitha lëndët. Gjithashtu po vishesha edhe më mirë se sa në fillim, nga që më ndihmonte ajo paga modeste që më jepnin. Por ndonjëherë isha i angazhuar me sallën e kulturës edhe deri në mesnatë kur ishte nevoja. Marjana nuk shkëlqente në mësime por shihej me një sy tjetër nga që ishte vajza e sekretarit dhe kishte të ëmën mësuese. E ëma e saj ishte minoritare nga Gjirokastra dhe me babain e Marianës ishin njohur në institutin e Shkodrës. Nxënësit e shanin duke i thënë greke. Një ditë ajo më vjen dhe më takon në klasë në mbarim të mësimeve duke më kërkuar ndihmë për të bijën sidomos në matematikë por edhe në lëndë të tjera. Ajo donte që e bija e saj Marjana të shkëlqente që të ishte e pregatitur per në universitet. Aty ishte edhe Marjana dhe ramë dakord që një orë çdo mbasdite të studionin bashkë me Marjanën. Herë-herë vinte ajo tek biblioteka ku studioja unë dhe ndonjëherë i shkoja tek shtëpia e saj që e kishte aty afër në qëndër. Dalëngadalë filloi të kishte simpati për mua Marjana, se po rrinim bashkë më shumë se një orë edhe mbasi kishim mbaruar konsultimet bashkë.
Mbas disa kohësh tek mësuesët ra në sy një përparim i dukshëm i saj edhe në mësime. Për këtë e ëma e saj ishte shumë e kënaqur dhe më falenderonte shpesh mua edhe kur studionim në shtëpinë e saj duke më qerasur edhe me ndonjë ëmbëlsirë. Një ditë Marjana u ul në bangë me mua dhe iu lut shokut tim Ilirianit që të ulej në bangën e saj me Liri Topallin një shoqen e saj. Këtë Iliriani e priti me gëzim se kishte simpati për Lirinë dhe herë herë e ngacmonte duke bërë shaka. Më vonë Iliriani u lidh me Lirinë por rrugët e tyre u ndanë në drejtime të ndryshme kur mbaruam vitin e katërt. Kështu Marjana gjeti një rast për të qëndruar më shumë me mua edhe gjatë orëve të mësimit. Nuk mund të rrija dot më larg teje, do të thoshte ajo vetë më vonë. E kuptoja që kishte simpati dhe herë herë sytë tanë kur ndesheshin duke vështruar njëri tjetrin për disa minuta na përshkonte një si rrymë elektrike. Ndjenim diçka në shpirt, që na jepnin shumë emocione kur trupat tanë takoheshin dhe ne qëndronim ashtu deri sa nuk duronim dot, por ajo tërhiqej e para duke u larguar pak e skuqur në fytyrë dhe duke psherëtirë lehtë. Qëndronim të heshtur me kokën të ulur duke shikuar ndonjë faqe libri, pa u përqëndruar dot. Më dukej se shkaktar i kësaj gjëndje isha unë dhe më dukej sikur isha unë fajtor. Por edhe më pëlqente Marjana, jo vetëm fizikisht por edhe në mendime, sikur kishim shumë gjëra të përbashkëta. Nuk po shkëputesha dot nga këto mendime kur autobuzi sa po kalonte shtëpinë e pushimit të punëtorëve, që ishte në të djathtë të rrugës, e vetmja ndërtesë e bukur, e gjatë mbi njëqind metra, tre katëshe në të gjithë plazhin. Në katin e dytë ishte një kafe me një tarracë të madhe që shihte nga deti dhe mbrëmjeve mbushej plot me pushues të ardhur nga të gjithë qytetet e vëndit. Çdo të shtunë organizonin mbrëmje vallëzimi duke ftuar orkestrën e mbrekullueshme të qytetit, me dy kitara elektrike që drejtohej nga Sotir Zaka që kishte mbaruar konservatorin në Tiranë për muzikë.
Në afërsi të saj ishte edhe një vilë dykatëshe, të stilit hollandes me çati të pjerrët me dy dhoma në çati dhe me një oborr të mbushur me lule shumë të bukura, oleandra të kuqe dhe të bardha të sistemuar mirë. Aty shërbente një vajzë e bukur gjatë gjithë vitit se në fundjavë mund të vinte ndonjë për pushime. Aty pushonin gjatë verës disa nga personalitete të rangut të lartë, si ministra e zëvëndsa, apo sekretar partie të rretheve.
Kur shkonim në plazh ne i shikonim me kërshëri ata që pushonin brënda në këtë vilë.
Aty afër në të djathtë ishte edhe distributori i ndërmarrjes pyjore që distilonte nga mersina një lloj solucioni me shumë aromë që e eksportonin jashtë për ndërmarrjet farmaceutike edhe për kozmetikë. Aroma e saj ndihej edhe në rrugë.
Autobuzi ndaloi pak metra më tutje tek i vetmi restorant në plazh. Një ndërtesë dy katëshe, që përdorej si kafe në katin e dytë dhe restorant në katin e parë, por tani ishte i mbyllur, funksiononte vetëm në sezonin e plazhit. Pastaj më tutje vazhdonin gabinat e plazhit në afërsi të rërës një radhë e gjatë ku ndërpriteshin nga ndërtesa e katër pallateve tre katëshe dhe do të vazhdonin më tutje akoma. Të gjitha ishin bosh tani. Vetëm punonjëset e shtëpisë së pushimit të punëtorëve dukeshin në koridoret dhe dritaret që bënim pastrimin dhe sistemimin e dhomave se pushues nuk kishte në këtë muaj. Ishte një qetësi vjeshte. Vetëm pulëbardhat dukeshin që fluturonin të gëzuara gjatë bregut sikur rrëshqisnin mbi sipërfaqen e detin dhe pastaj çukisnin në rërën e lagur duke gjetur ndonjë ushqim që kishte dalë nga deti. Mu kujtuan këto vargje të Kadaresë;
Lejlekët u kthyen në plazhin e braktisur.
Në rërën e lagur dhe nën tëndë.
Kruanin sqepët dhe çukisnin .
Diku me laps një shenjë e lenë.
Te moli i vetmuar,”Shetitorja e beqarëve” .
Pista e vallëzimit dhe këngë.
I heshtur plazhi në vjeshtë.
E heshtur dhe dallëdia e flokëve
të vajzave nën hënë.
Pak si të përgjumur të gjithë ne zbritëm nga autobusi dhe po shikonim rreth e qark peizazhin që në këto kohë kishte ngjyrosur vjeshta me duart e saja.
Deti ishte shumë i qetë nuk shihnim asnjë dallgë sado të vogël. Rreth një km larg nga bregu dukej një varg me tre peshkatar që po hidhnin rrjetat. Ishte ora nëntë para dite dhe gjithmon nga mbasditja fillonte pak erë që krijonte edhe dallgët. Plazhi dukej vërtetë i braktisur. Aty tek restoranti në një tavolinë mbi trotuar rrinim ulur katër persona që po kalonin kohën duke luajtur domino. Dy ishin bletërritësit, që gjatë dimrit sillnin parkun e bletëve në plazh, çdo vit kur mbaronte sezoni dhe njëri ishte roja i natës të distributorit të ndërmarrjes pyjore, ndërsa tjetri ishte Xhufi. Kështu e thërrisnin. Ai jetonte aty, flinte në një dhomë pranë zyrave të pyjores. Kishte ikur nga shtëpia. I jepnin për të ngrënë herë ata të shtëpisë së pushimit nga guzhina e tyre por shkonte edhe tek dajlani kur nxirrnin peshk peshkatarët dhe ata i jepnin ndonjë peshk. Kishte disa vite që jetonte kështu, nuk ishte i përqendruar në punë dhe nuk i kërkonin pse nuk punonte. Thoshin se ishte me kartelë mjeksore se ndonjëherë bënte si budalla. Ndonjëherë e kishin punësuar edhe ata të pyjores, por ishte i papërgjegjshëm. Ishte rreth tridhjetë e pesë vjeç dhe s’kishte ndërmënd të martohej. Kur zbritëm nga autobuzi ata po shikonin duke e ndërprerë lojën. Ndërsa Xhufi me atë zërin e tij karakteristik duke imituar zë femre iu drejtuar si me shaka mësues Gorit;
-Hë re, bir ndreqi, erdhët sot, do ti lani ato në det, se mos ftohen gocat. – duke xjerr dhëmbët e përparme jashtë.
-O Xhufi, o Xhufi,! – i foli mësues Gori dhe iu afrua tek ata duke i përshëndetur dhe qëndroi me ata duke biseduar. Ne po zbrisnim një nga një nga autobusi. Dhe ata që zbrisnin të parët, sidomos djemtë vraponin drejt bregut pas një topi futbolli që e kishin hedhur. Ilirian Shahu dhe Trifon Banin po qeshnim duke bërë shaka me Liljana Rrenën, duke i marrë një atlete të këmbës së djathtë që i kishte rënë kur po zbriste nga autobusi dhe ja hidhnin njëri tjetrit. Ajo vraponte sa tek njëri dhe sa tek tjetri. Ndërsa një grup vajzash me Vasilika Hurmën ishin afruar tek një dëllinjë që kishte kokrra të pjekura në ngjyrë kafe dhe po mbushnin duart. Atje po shkonin dhe Tom Biti me Pal Stekon. Tomi kishte këputur disa kokrra dhe po thoshte se qenkan të mira. Ndërsa Pali nuk i shikonte dhe e tërhoqi Tomin prej mënge që të iknin. Afër bregut po pregatisnin dy porta për të luajtur futboll Mark Rovina dhe Dash Shani. Unë me Marjanën po vazhdonim ta ndiqnim turmën të heshtuar, kur në atë çast po më thërriste Pero Zotaj. Ai ishte tek bregu dhe i kishte hequr atletet për të provuar ujin e detit. Pero ishte një djalë i shkathët dhe i guximshëm, ishte i mirë në mësime. Kishte një vitë që ishte i lidhur me Mimozën. Ja kishte thënë një ditë që të dua. Ishte i guximshëm. Ajo ishte habitur dhe kishte ikur me vrap, por ai e kishte ndjekur mbrapa shkollës dhe e kishte puthur. Dhe që atë ditë ajo sillej më ndryshe me të gjithë ne. Ndoshta ishte e kënaqur që më në fund kishte një djalë dhe që ishte puthur më atë. Por edhe ajo e donte. Bisedonte me mua Pero dhe më thoshte që të përdorja të njëjtën mënyrë edhe unë me Marjanën. Por Marjana ishte ndryshe, nuk ishte si Mimoza që mund t’i thoshte edhe gjëra të kota dhe ajo të besonte. Marjana ishte shumë tërheqëse dhe të dëgjonte në një mënyrë shumë të çuditshme, prandaj unë i kontrolloja fjalët kur bisedoja me atë. Ajo më dëgjonte me një buzëqeshje të tillë, duke më vështruar në sy sikur shkaku i buzëqeshjes nuk mund të ishte ajo që po i tregoja unë por diçka tjetër, në vërtetësinë e bisedës në përgjithësi. Kur më thirri për herë të dytë Pero, ndalova pak dhe po vështroja Marjanën që t’i thoshja se do të vija menjëherë tek ajo sa të takoja Peron, prandaj më prit. Qëndruam në heshtje përballë. Por ajo u tregua më e shkathët duke më thënë se kam marrë diçka për të ngrënë për drekë edhe për ty. Ne në fakt nuk ishim pregatitur që të merrnim diçka për të ngrënë se autobusi do të vinte në orën dy dhe do të iknim. Unë doja t’i thosha diçka, doja ta falenderoja por s’po më punonte më truri. Sikur më ishte bllokuar. Ajo e kuptoi dhe pa pritur ndonjë përgjigje eci e para drejt bregut të detit dhe prapa saj po ecja unë. Ajo e ndjente peshën e hapave të mija që po ndiqja nga prapa nga kërcitja e rërës. Kokën e mbante të ulur poshtë duke shikuar rërën me sytë e saj në ngjyrë kafe dhe sikur po priste një përgjigje të çfarë do lloj, vetëm të ishte përgjigje, një fjalë, të dëgjonte zërin.
O zot. ! E ndjeja peshën e hapave të mija dhe të heshtjes të çdo minute që po kalonte sikur po ikte me shpejtësi, dhe unë s’po thosha asgjë. O zot.! Çfarë po më shqetësonte në këtë çast.? Më dukej sikur po ikte nga unë pa i thënë asnjë fjalë. Çfarë më kishte ndodhur që kjo për humbja ime shpirtërore kohët e fundit po më mundonte dhe nuk arrija ta kuptoja shkakun e vërtetë. Duke ecur mbrapa saj sikur po i shihja për herë të parë ato flokë që më dukeshin sikur kishin luajtur me ngjyrën e vjeshtës, apo me perëndimin e diellit në det. Trupi i saj i drejt, vetëm sa mënjanohen pak, sa herë hidhte hapat në rërë duke nxjerrë në pah vithet nën pantallonat xhins të kaltëra, që të nxisnin për të menduar një flirt. Doja ta ndaloja duke e kapur për krahu që t’i thosha të gjitha sa mendoja për të, por sikur u kthellova, se ndoshta në të tilla raste në vënd që rregullosh ndonjë gjë mund ndodh ndonjë keqkuptim. Ecën edhe pak, kur po afroheshim tek Pero e i thirra;
– Marjanë. ! – nuk e di se si më doli zëri sa edhe ajo u habit duke u kthyer menjëherë, me një fytyrë tjetër, sikur ishte transformuar, sikur po e shihja për herë të parë, me sy të pikëlluar, që kishte shumë kohë që priste e lodhur, e këputur. I fola duke i thënë;
– Po Marjanë, pas pak do të vijë, më prit.! – dhe u afrova i kapa dorën duke ia shtrënguar lehtë dhe u largova.