Mos më kërko në fronte e beteja,
se pushkën mirë nuk di që ta përdor.
As pas një ylli që shpesh e mbulon reja,
as pas një muri diku nëpër oborr.
Mos më kërko të jem një djalë pa rrudha,
dhe flokët ti kem plis si dhe një herë.
As rrugëtar që shpesh i bie udha,
në ato male në dimër dhe në verë.
Mos më kërko në nota pentagrami,
se tingëllimi nuk është më si më parë.
Ta them me shpirt që kot më ka dalë nami,
tani dhe vetia më duket si e shkarë.
Mos më kërko atje ku ka stuhira,
e deti dallgët i ngre si i lënë.
Tani jetoj nëpër ujëra te ngrira,
dhe gjithë qelizat gjumi i ka zënë.
Mos më kërko në festa a gëzime,
si adhuroj ashtu si dhe njëherë.
Tani kjo zemër jeton veç me kujtime,
dhe i hap sytë se kush troket në derë.
Mos më kërko në orë e ditë fikëse,
se zor të vij dhe atje të më kesh.
Tani jam kthyer si një sallate mikse
që dhe vetë zoti nuk e merr dot vesh.
Mos më kërko as ditën e as natën,
se s’dihet se ku jam e se ku ndodhem.
Edhe po erdha kam frikë se të kall datën,
dhe para tej më shumë do zë të lodhem.
Mos më kërko më në metropole,
se po shkoj rrallë e gjithmonë edhe më rrallë.
Tani jetoj si zhaba nëpër gjole,
dhe dëgjoj qyqen kur ja nis me të qarë