Mike Tyson, i njohur edhe si “Iron Mike” është një nga figurat më ikonike të historisë së boksit.
Ai filloi karrierën gati katër dekada më parë, ndërsa u bë kampioni më i ri botëror në peshën e rëndë në moshën 20-vjeçare.
Pas shumë viteve larg ringut profesional, Tysoni i “hekurt” po rikthehet edhe një herë, ku sonte do të përballet me Youtuberin e kthyer në boksier Jake Paul.
Jake Paul ka bërë emër në botën e boksit, duke tërhequr vëmendjen e publikit me duelet e tij.
Ai ka treguar se ka talent dhe disiplinë, edhe pse ende është në fillimet e karrierës. Megjithatë përballja me një legjendë si Tysoni, do të jetë padyshim një sfidë e madhe.
Rikthimi i Tysonit në ring kundër Paulit, është një ngjarje që ka ndezur kureshtjen e publikut, duke i tërhequr ata për të parë se si do të jetë kjo përballje e pazakontë midis një veterani të sportit, dhe një të riut ambicioz.
Ndeshja nis nga ora 20:00, dhe transmetohet nga Netflix. Para përballjes së Tysonit dhe Paulit, do të ketë edhe duele të tjera, prandaj është e vështirë të përcaktohet fiks koha kur 58-vjeçari dhe 27-vjeçari do të nisin të grushtohen në ring.