Rrënjët e mia janë thellë në histori,
Kapërcyen vite e vite të lotuar,
Shtruar kalldrëm,nën brinjë të gjyshërve
Fshehur dhimbja, nën rrudhat e syve.
Shkretuar, coptuar, ngrënë me dhëmbë,
harta e shtëpisë iu gdhend mbi gjoks,
Lot’ i Çamërisë u tha ndër kodra,
Atje ku mëngjeseve gjeraqina këndon .
Fjalë veç fjalë, premtime në erë,
qiellit pa fund humbën, si shpresa,
Muret mbuluar nga shkurre dhe ferrë,
Një kukuvajkë këndon mbi derë.
Kush i verbër nuk i do sytë?
Kush i çalë nuk do të ecë?
Litarin ndër vite rrethuar në fyt,
Tek presin që Çamëria të vdesë…
Një çam vdes por dhjetëra lindin,
Kokën nga rrënjët mbajnë kthyer,
Dhe pse brezi i vjetër iku e shkoi,
Me gjak çamërie jemi ngjyer.
Ah! Kur të vete në Çamëri,
Shpirti do më gjejë qetësi.