Granit Xhaka u zgjodh mbrëmë futbollisti më i mirë i vitit në Zvicër, për herë të tretë radhazi.
Ylli kosovar e fitoi këtë çmim në ceremoninë e mbajtur mbrëmë në Bern.
32-vjeçari u ndie i lumtur për këtë mirënjohje dhe vlerësim, për kontributin e dhënë në nivelin e klubeve dhe për Kombëtaren helvetike.
“Jam mjaft i lumtur për çmimin. Ky nuk ishte viti im. Ishte viti ynë, me pjesëmarrjen në Kampionat Evropian. Dua t’i falënderoj të gjithë përsëri, posaçërisht trajnerin Murat Yakin, i cili më ka mbështetur, në ushtrime dhe në aspektin privat”, deklaroi Xhaka përmes një video-xhirimi pasi s’mund të ishte prezent në këtë ceremoni.
Viti 2024 ishte me të vërtetë i jashtëzakonshëm për Granit Xhakën.
Ylli kosovar e kaloi një vit përrallor duke e fituar titullin e kampionit dhe atë historik në Bundesligë me Bayer Leverkusenin, ndërsa i fitoi edhe Kupën e Superkupën e Gjermanisë me “Farmaceutikët”.
Ndër të tjera, me Kuqezinjtë shkoi deri në finale të Ligës së Evropës, ku fatkeqësisht humbi në finale nga Atalanta, shkruan gazeta “Express”.