Si legjendë e gjallë,udhëve të Fierit,
shfaqet bukuria jote,moj faqehënë,
mes këngës hyjnore gocë e berberit,
vargjeve të saj nuri të paska rënë.
Thonë ishe e bukur, rënë prej qiellit,
baluket e zeza ballin te kishin ngrënë,
dhe pse i prisje me gërshërë t’sherperit,
prapë brenda natës ballin ta kishin zënë.
Kjo bukuri e paparë,zemëronte diellin,
aq sa rrezja kur të prekte të kishte inat.
dhe pse s’të linin të shëtisje Fierin,
pas gardhit rrinte djemuria dit’ e natë.
Ah,moj muhaxhire, ç’i bëre miletit!
Endërrimesh,si zanë i vije në gjumë.
Ah,ç’i bëre djalërisë,moj gocë e berberit!
Zemrën ua theve,shpirtin më shumë.
Ngjyrë e buzës sate,marroste çdo djalë,
bukuria derdhej vello syrit të Myzeqesë,
ah,si s’të puthën,sikur njëherë në ballë,
askush s’të mori nuse dhe pse fort të desh!
Erdhe si fllad dhe si fllad i ëmbël ike,
mbete nëpër vargje bukuri e rrallë,
më qafë more dynjanë,moj bukuri nazike,
kush ka mbetur gjallë,të kujton me mall…