Friday, February 21, 2025
BallinaVitrina e libritSAMI MULAJ-Cikël poetik “ Kur e prek shiun

SAMI MULAJ-Cikël poetik “ Kur e prek shiun

1. KUR E PREK SHIUN

Kur e prek shiun
kam një zog në sy,
dridhjet ja fal një zemre,
buzëqeshjen një buze fëmije.

Mjegullën shtëllungë shtëllungë
e shoh tek rrokulliset,
vrapoj me erën,
në lëkurën e dashurisë mbështillem.

Qielli aromë ngjyrash
shijoj bojën e kaltër,
fuqinë e fjalës dritë.

2. POETI

Një qiell rreze
një laps ylber
një qiell shi
rrufetë e vetëtimat nuk e kanë vrarë akoma atë zemër,
nuk vritet një qiell.

ashtu si zoti krijoj qiellin,
krijoj edhe zemrën e poetit,
një qiell i pamatë dashurie.

qielli mban krejt ajrin, yjet,diellin
anijet kozmike
nuk mban dot fjalët e poetit, shpirtin.

3.PËRRALLA E DASHURISË

A mos është fantazi,
një përrallë nate për fëmijë,
një përkushtim,
një mendje në hekura
a zemër e dorëzuar,
në qeli….?!

Një e embël huti,
qetësi me sy të bukur,
notim në lumturi,
lundrim pa qëllim
në humnerën e detit
pafundësi….

4. TRE VARGËSH

#
Premtimet në gëzime
mbahen, sa zgjat
shija e një embëlsire…

#
Dy lloj vdekjesh janë,
vdesin të vdekur,
vdesin të gjallë…

#
Vera ikë,nuk vjen ma
dimri nuk ikën,
ikim na.

#
Në pllakat e vorrezave
datat e shkruara
janë të gabueme

për disa datat e lindjes,
për te tjerë ajo e vdekjes,
janë datat kur janë martue…

#
Një shtëpi
nuk fiket
se ka varfëri

Një shtëpi
nuk fiket
se humb pasuri

Të dy shtëpitë njëlloj fiken
kur nuk hapin derën
për miqësi.

#
….në Shqipëri,
të huajt duan të rrinë,
vendasit duan të ikin,

të huajt revoltohen
s’ka kush
ju mëson shqip,

vendasit
midis tyre
përkthejnë shqip shqip

7. NUK NA DUHEN MA ADRESAT

Kemi humbë lidhjet
në mjegull gjithë rrugët,
busullat pa shigjeta,
janë fshi dhe gjurmët

Oborret pa oborre,
numrat në derë fshi,
pragjet t’pa shkelura,
dyert me një sy

sofra varë në murë,
cungu pa sakicë,
magja e bukës thatë,
shpia pa baçicë.

macet e zeza
trupojnë n’rrugicë.

8. TEK KTHESA

Aty kaloj çdo ditë,
shoh një lypës,
zgjat duart drejt meje,
kur ndalem në dritë.

E pret me shpresë të kuqen,
një dollarë të lutem
më thirrë.

Hap xhamin,
pa fat i shkreti,
pa shpresë
jeshilja erdhi në kthesë.

E sot për çudi,
ndaloj në të kuqen,
me dëshirë ti fal diçka atij,
lypsari nuk afrohet me duar shtrirë….
Edhe pse në shi e pa çadër,
me gishta në celular rri…(?!)

9. DIELLI

Kush e pa diellin
të egërsuar ndonjëherë ?!

Detin po e shohim shpesh
me dallgë,
qiellin duke lëshuar xixa, rrufe, breshër e bubullima pa nda.

Djegje diellore ndodhin shpesh,
diellin kurr nuk e bejmë me fjalë.

Digjemi në lëkurë
duke u rrezitë në zallë,
fajësojmë vetëvehten
e rrezet e diellit kurr nuk i shajmë.

A mos është atje dashuria,
e duam afër,
të djeg,
e larg po i qëndrove
i ftohti të than.

10. KAFJA E MADHE N’SHKODËR

Hyn e del
nuk të sheh askush.
Avull konjaku, erë raki rrush.

Zhurmë e embël,
muzikë me bejta shumë.

Ndonjë thyemje filxhani.
Ah ta marrsha,
t’pastë Shkodra
more burrë.

Lum’ Shkodra Loce,
e mos deksh kurr.

Hyn e del
n’kafe t’madhe n’Shkodër.
E nuk t’sheh kurrkush.

Po nuk përshëndete
me doré n’zemër,
mos hy kurr
n’kafe t’madhe n’ Shkodër
as n’face book.

11. AH, S’KA PRANVERË QË VJEN ?!

Verën,
bjeshkëtarët nuk e palojnë më,
e nuk e ndojnë në gjumë
për verën tjetër.

as nuk i rehatojne
lugjet e staneve,
koritat e tamlit i kanë hup, veringte e zjermit
i kanë gjujtë,
kumonët e ogiçit
i kanë shurrdhë.

bjeshkën si të çmendur
e mbyllin në dry,
në hekura e beton
e kanë rrethu.

Vjeshtën,
as vjeshtën
nuk e rehatojnë ma,
mollët e ftojtë
nuk i mlojnë ma me firë,
as gshtajtë nuk i vejnë në gashnjet si dikur.

Sobat e qylerët e nuseve
s’kanë erë molle ma,
faculetat e gjysheve
pa erë ftojsh,
në qyshk janë gjujt.

mollat
i za bora në rrem,
prej zogjve pa u kafshu,
zogjtë kanë shtegtu.
as fmijë nuk ka ma,
me gurë s’ka kush i gju.

Eh, dimri vetëm ngri…!

Pranverë me sy të bukur,
nuk le me u afru…

12. DY ISHAT

E djeshmja e lodhur,
e dërmuar,
n’agoni
e bëri “lulak”
e përkundi
“njeriun e ri”
për të sotmen
i duhej,
të mbështetej,
për t’i dhenë nje buzë ujë
n’pleqëri.

Aty, këtu janë kudo,
bejnë foto në grup,
bejnë foto selfi,
të duken
e kanë epidemi,
i mbushin sallat gjithmonë,
në gjokset me dy Ish
zemërat nuk rrahin,
karriket e dy kohëve
marrin frymë.

13. CELULARI I GRUAS
( humor)

Kur i vdiq gruaja,
celulari i saj nuk bzante më,
shtëpisë i hyri qetësia

rrugës për
te varrezat,
i kujtohet celulari,
ku është
e pyet vajzën,
e kam unë baba
t’ja japim me vehte,
duhet diçka nga shtëpia.

Po, po fute në arkivol,
deri sa të shkoj unë atje,
besoj i mbarohet bateria..

14. PSE NUK VIJNË MALET ME NE?!

malet rrinë hijerendë,
duken se janë mërzitë me ne,
asnjë pëllëmbë nuk lëvizën
në shekuj, qëndruan
pa fron e madhështorë,
baballarët e gjyshërit tanë
me malet nuk u ndanë,
u bënë banorë binjakë me malet,
malësorë.

kurr prej tyre nuk ikën,
si shqipet aty me kryet lart bënë fole,
ne bijtë e tyre ikëm
e ankohemi,
të përulur në jetë,
pse
malet nuk erdhën me ne .

15. NGA VALENTINI YT…!

Më 14 shkurt
po e lë edhe unë një letër…
një letër,
krejt me pak fjalë,
shkurt.

Pa dashuri në zemër,
dhuratat me zemra n’zarfa,
nuk sjellin Shën Valentin,
nuk ka as 14 Shkurt …!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT