Sa shumë dashuri ty t’i besoja,
Buzëqeshje dhuruara dot s’t’i shkruaja.
Sa ndjenja në shpirt, puthje e gëzim,
Me fjalë ty ta thashë dhe çdo përqafim.
Si nuk u lodhe të më thuash “ndal”,
Kur të zhgaravisja dhe s’të thashë “më fal”.
Tek ty gjeja veten, ti ishe besimi,
E çiltër me ty, vetë dilte rrëfimi.
Kur të lexoj sot, s’di ç’të mendoj,
Sa shpejt erdhi dita, kaq shumë të vlerësoj.
Gjëja më e çmuar e besimit tim,
Më rikthen ti kohën, më kujton rininë.
Ah, more ditar, ku të gjej si ty,
Një njeri të besës, ta shikoj në sy?
Dyshim mos të kem, jetën t’ia tregoj,
Botën time të brendshme, si ty, dikujt t’ia besoj.
I dashur ditar, e di sa të dua?
E di pse të dua shumë?
Sepse dje unë të rrëfehesha,
Ndërsa sot, rrëfehesh ti tek unë.