Sunday, February 23, 2025
BallinaVitrina e libritROBERT BLY-Nëna me dhëmbë të mprehtë, në fund lakuriq

ROBERT BLY-Nëna me dhëmbë të mprehtë, në fund lakuriq

I
Makinat e fuqishme ngrihen mjeshtërisht nga kuverta.

Krahët bëhen të dukshëm mbi pemë, krahë me tetëqind thumba.

Makinat që djegin katër mijë litra karburant në minutë vijnë shpejt
mbi kasollet me dysheme balte.

Pulat e ndjejnë frikën e re thellë në zgavrat e sqepave të tyre.

Buda me Padma Sambhava.

Anijet gri notojnë në Detin Kinez, trupa të akulltë të lindur në Roanoke,
me oqeanin e gjerë në të dy anët “notojnë lehtësisht në liqenin kompakt”.

Helikopterët fluturojnë sipër. Grerëzi i vdekjes po vjen. Avionët supersabre si nyje energjish neurotike sillen

përreth dhe kthehen.

Ky është triumfi i Hamiltonit.

Ky është avantazhi i një banke të centralizuar.

B-52 vijnë nga Guami. Të gjithë mësuesit

vdesin në flakë. Shpresat e Tolstoit bien në gjumë në folenë e milingonës.

Mos kërko mëshirë.

Tani është koha për të parë tunelet e së shkuarës, orët e dhëna dhe të marra në shkollë,

përleshjet nëpër korridore

Nga vrimat e hundës u rrjedh shkuma,

Tani vijmë te shkuma që merret nga goja e të vdekurve, tani ulemi pranë të vdekurve dhe ua mbajmë duart,

nuk ka kohë për të thënë lamtumirën,

Rreshteri i shtabit nga Karolina e Veriut po vdes, ti i mban

dorën,

ai e di se vendbanimet e të vdekurve janë bosh, ai ka një vend bosh

në shpirt, i krijuar një natë kur prindërit e tij erdhën në shtëpi të dehur,

Ai përdor gjysmën e lëkurës për ta fshehur atë sikur të përpiqej të mbronte një tullumbace nga objektet e mprehta…

Pjesët e artilerisë shpërthejnë. Bombolat e napalmit përmbysen.

800 predha çeliku fluturojnë nëpër muret e bimëve.

Foshnja gjashtë orëshe vendos instinktivisht grushtat në sy për të penguar dritën.

Por dhoma shpërthen, fëmijët shpërthejnë.

Gjaku rrjedh nëpër muret e bimëve.

Po, e di, gjaku rrjedh mureve.
Ti s’ke pse qanë pët këtë
Po qanë pse era fryn nga Kanadaja?

Po qanë se kallamet dridhen buzë moçaleve?

Batalioni i Marinës zbarkon.

Kështu është kur ndryshojnë stinët.

Kështu ndodh kur gjethet fillojnë të bien para kohe nga pemët.

“Vritni ata, nuk dua të shoh asgjë që lëviz.”

Kështu ndodh kur akulli fillon të tregojë dhëmbët

nëpër pellgje.

Kështu ndodh kur shtresat e rënda të detit rëndojnë kokën e peshkut
dhe e zhytin më thellë, aty ku penda e bishtit rrotullohet ngadalë dhe truri tregon imazhe të kallamishteve të rënda, bimësi e grumbulluar mbi bimësi…

Hamiltoni i pa të gjitha këto në detaje:

“Të gjitha pemët e bananeve u çanë, të gjitha tenxheret e gatimit u thyen, të gjithë dyshekët u copëtuan…

Tani thikat e Korpusit të Marinës sillen si avion reaktivë me tehe të mprehta, aq lehtë i presin thasët me oriz, dyshekët…

Rosat qëllohen me çifte 150 dollarëshe.

Gratë e moshuara shikojnë ushtarët.

II

Thikat fisnike romake rrëshqasin përgjatë brinjëve.

Një burrë më i fortë fillon ta grisë mishin në copa.

Le ta dëgjojmë përsëri, ti beson në Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë?

Një britmë e gjatë dëgjohet.

Më shumë.

Nga pikëpamja politike, institucionet demokratike po ndërtohen në Vietnam, nuk jeni dakord?

Një papagall jeshil dridhet nën thonj.

Gjaku rrjedh deri në xhep.

Britma fshikullon si një bisht.

“Mos lejoni që mospajtimet të na pengojnë nga misioni ynë…”

Ulërima e avionit depërton si një gjilpërë e gjatë.

Sapo presidenti përfundon konferencën për shtyp, krahë të zinj i marrin me vete fjalët, copa mishi ende ngjiten pas tyre.

Ministrat gënjejnë, profesorët gënjejnë, televizioni gënjen, priftërinjtë gënjejnë…

Gënjeshtrat do të thonë se vendi dëshiron të vdesë. Gënjeshtra pas gënjeshtrave zvarriten livadheve si vargje të gjera vagonash rrafshnaltash …

Dhe një dëshirë e moçme për të vdekur rrjedh, duke udhëhequr karvanët e fuqishëm nga poshtë, duke lidhur fjalët e paqarta, të ngatërruara.

Është dëshira për të ngrënë vdekjen, për ta gllabëruar atë me lakmi, për t’u hedhur pas saj si kobra me gojë hapur.

Është dëshira për të futur vdekjen brenda vetes, për të ndjerë nxehtësinë e saj brenda vetes, me qime prej kadifeje që dalin si një furçë rrobash nëpër zorrë.

Kjo dëshirë e shtyn presidentin të gënjejë.

Shefi ekzekutiv hyn brenda, fillon konferenca për shtyp: së pari presidenti gënjen për kohën kur u formua Appalachia

Pastaj gënjen për numrin e banorëve të Çikagos, pastaj për peshën e një shqiponje të rritur, pastaj për sipërfaqen e Everglades…

Ai gënjen se sa peshq kapen në Oqeanin Arktik çdo vit, ai ka informacion privat se cili qytet është në të vërtetë kryeqyteti i Wyoming-ut, ai është një gjyqtar për vendlindjen e Attilas.

Ai gënjen për përbërjen e aminoacideve, pohon se Luteri nuk ishte gjerman dhe se vetëm protestantët shisnin indulgjenca.

se Papa Leo – X donte të reformonte kishën, por “elementët liberalë” e penguan atë

se Lufta e Fshatarëve ishte nxitur nga italianët e veriut. Dhe ministri i Drejtësisë gënjen për orën e perëndimit të diellit.

Kjo është thjesht dëshira jonë e thellë për të vdekur.

Është dëshira jonë që dikush të vijë e të na marrë

për dore ku flenë të gjithë:

Aty ku flenë faraonët egjiptianë dhe nëna jote dhe të gjithë fëmijët e humbur që luanin me ty

në kolovajzën e oborrit të shkollës…

Mos u zemëro me presidentin, ai ka një dëshirë të madhe

për t’ i lëmojë

krelat e vdekjes

pasi ka takuar fëmijët e tij, në gjumë apo të palindur.

Ai u bie rrotull vendeve të pluhrosura.

III

Kështu është kur një vend i pasur bën luftë,

kështu është të bombardosh kasolle (më pas të cilësuara si “struktura”)

kështu është të vrasësh fshatarë në zonat kufitare (më pas të cilësuar si “komunistë”)

Kështu është të shohësh gjilpërën lartësimatëse tek çmendet.

Baroni 25, 81 këtu. A ka njerëz miqësorë në zonë? 81 nga 25, negative për sa i përket qëndrimit miqësor.
Unë të kërkoj të zhdukësh sa më shumë struktura, të vendosura midis pemëve në zonën 200 metra në lindje dhe në perëndim të sinjalit tim të tymit.

ne zhytemi dhe toka e gjelbër lëkundet, faqet varen, gjilpërat e kuqe lulëzojnë para nesh, gjuajtje topash 20 mm, nivelim, orizoret kalojnë si shtylla telefoni, ngrihet tym, çatitë e kasolleve ngrihen

lart si pista të mëdha, duke goditur gjysmën e kasolleve që të digjen,
figura të vogla vrapuese, palma të djegura që shfaqen shpejt…ngrihen prapë qielli blu, male resh

Kështu është të kesh një bruto prodhim vendor

Kjo për shkak se një dhomë spitali në një qytet të mesëm amerikan kushton 60 dollarë në ditë aq sa ne bombardojmë veriun

Është për shkak se perdet e vitrinës prej alumini janë një biznes në lulëzim në Shtetet e Bashkuara, se ne po vendosim qilima zjarri nëpër fshatra të tëra.

Është për shkak se trenat me qumësht që mbërrijnë çdo ditë në Nju Xhersi, kalojnë në rrugën e duhur, ku vietnamezët më të mirë korren nga plumbat amerikanë që ndjekin njëri-tjetrin nga afër si kamionë mallrash.

Kështu është kur urdhëron të qëllosh në një kasolle me kallam me armë automatike

Është për shkak se ne kemi paketim të ri për ostronin e tymosur, kraterat e bombave që shfaqen nëpër orizare

Kjo ndodh sepse ka kaq pak gra mes nesh që qajnë në dhomat e pasme,
sepse ka kaq pak fëmijë mes nesh të cilëve u është copëtuar koka nga plumbat e shpejtë, sepse kaq pak lot bien në duart tona ndërsa avioni Supersabre kthehet dhe bie duke bërtitur në tokë.

Është për shkak se taksapaguesit lëvizin në periferi pse ne zhvendosim me forcë popullsinë.

Marinsat përdorin çakmakë për t’i vënë zjarrin çative të kasolleve me kashtë, sepse shumë amerikanë janë në shtëpitë e tyre.

IV
Unë shoh një makinë që ngjitet drejt një muri shkëmbi.

Hapat në fytyrë kanë filluar të plasariten.

Ne të gjithë ndihemi si goma në makinat e rënda që lëvizin nëpër rrugë.

Vajza adoleshente e imagjinon veten duke lundruar nëpër Shtatë Sferat.

Dyert e furrës janë gjetur

hapur.

Bloza mblidhet në cep të furrës, ka fëmijë, shkon në kurse, çmendet dhe vdes.

Ekziston një rezervuar i zi brenda trupave tanë, i cili rrotullohet me shpejtësi.

Copat e bojës së zezë qërohen

ku motoçikletat vrumbullojnë përreth, dhe ngrihen gjithnjë e më lart në muret e kapanonit

me trupat e përkulur drejt horizontit, që ngasin gratë e tërbuara të veshura me të zeza.

E di që librat janë lodhur prej nesh.

E di që ata e lidhin Biblën për karrige. Librat nuk duan më të qëndrojnë në të njëjtën dhomë me ne.

Dhiata e Re ikën… Të veshur si gra, largohen me ardhjen e errësirës.

Dhe Platoni! Platoni… Platoni dëshiron të ecën së prapthi…

Ai dëshiron të kthehet me nxitim në lumin e kohës, në mënyrë që të përfundojë si një copë peshku që kalbet në një plazh australian.

V

Pse po vdesin ata? Kam shkruar për këtë shumë herë.

Ata po vdesin sepse presidenti ka hapur përsëri një Bibël.

Ata po vdesin sepse depozitat e arit janë gjetur në mesin e indianëve Shashoni.

Sepse paraja ndjek intelektin!

Dhe intelekti hapet si një erashkë në erë.

Marinsat besojnë se lumenjtë do të ndalojnë rrjedhën nëse nuk vdesin.

Ata vdesin që hijet e maleve të mund të bien kah veriu pasdite,

në mënyrë që brumbulli të mund të zvarritet në tokë pranë degëve të rëna.

VI
Por nëse një nga këta fëmijë që i kemi vënë zjarrin me napalm na afrohet

vjen duke ecur drejt teje si një hambar gri,

a do të bërtisje si një tunel ere në stuhi,

a do ta grisje këmishën me duart blu,

a do ta shkilje karrocën e fëmijës suaj?

në përpjekje për t’u larguar,

a do të lëviznin furishëm bebëzat në sytë e tu?

Nëse një fëmijë do të vinte duke u djegur, a do të kërceje lëndinës,

në përpjrkje për të ecur në ajër, të gërmoje në faqet e tua,

ti do të fusje kokën në murin e dhomës së gjumit si një dem që ka qëndruar, shumë gjatë i mbyllur në vathën e rëndë

Nëse njëri nga këta fëmijë do të vinte drejt teje me duart

përpjetë, me zjarrin që ia lëpinë të dy bërrylat

unë papritmas do të tërhiqesha në trurin tim kafshëror,

do të bija këmbë e duar dhe do të bërtisja, kordat e mia zanore do të bëheshin blu, edhe tuat, do të më duheshin dy ditë që të luaja përsëri me fëmijët e mi.


VII

Dua të fle për pak në rrezet e pjerrëta të dritës së diellit mbi dëborë.

Mos më zgjo.

Mos më trego se sa trishtim kanë gjethet me vajrat e tyre natyrale.

Mos më thuaj sa fëmijë lindin me trungje në vend të këmbëve.

gjithë ato vite që jetuam nën hijen e Agustinit.

Më trego për pistilin që bie nga aguliçja e verdhë që lëkundet nga erërat e trazuara.

Më trego për grimcat e të menduarit babilonas që kalojnë çdo ditë përmes krimbit të tokës.

Mos më trego për “ata punëtorët e tmerrshëm që nuk lexojnë libra”.

Tani i gjithë kombi ka filluar të lëkundet, maja e republikës po bie,

Evropa po vjen për t’ u hakmarrë,

bisha e çmendur e mbuluar me qime evropiane nxiton nëpër shkurret mesa të Mendocino Contry,

derrat nxitojnë drejt shkëmbit,

uji poshtë ndahet në njërin oqean, globe të shndritshme notojnë lart (brenda tyre burra leshtarë dhe ekstatikë)

në tjetrin, nëna me dhëmbë të mprehtë, lakuriq në fund.

Le të ngasim makinat

lart nëpër

rrezet e dritës

deri tek yjet…

Dhe të kthehemi në tokë të kruspulluar në një pike djerse

që bie sërish ditë pas dite

nga mjekra e protestantit aty ku qëndron i lidhur në zjarr.

( përktheu: Qerim RAQI )

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT