21 SHKURTI-DITA NDËRKOMBËTARE E GJUHËS AMTARE.
Me anë të gjuhës shprehet shpirti e kultura e një populli. Gjuha shqipe gurgullon ëmbëlsisht si uji i krojeve. Ajo është e rrënjosur thellë në palcën e shpirtit tonë.
Është më e lehtë se flladi pranveror, më melodioze se cicërima e bilbilit, më e ëmbël se qumështi i gjirit, me të cilin nëna na mëkoi plot dashuri.
Ta duam gjuhën e nënës sonë e ta flasim atë plot krenari!
Për këtë ditë kam shkruar dhe unë një poezi,kushtuar gjuhës sonë të ëmbël shqipe.
GJUHA JONË
(Në ditën botërore të gjuhës amëtare)
Sot më ngroht agoi dhe dielli
në çdo cep të tokës arbërore
më i pastërt dukej dhe qielli
në këtë ditë gjuhes amëtare.
Edhe fëmijët recituan bukur
vjershën e ëmbël Gjuha jonë
dashuria e madhe,e strukur
ruhet shumë në shtetin tonë.
Sot kujtojmë martirët shqiptarë
që për gjuhën punuan e luftuan
i nderojmë si asnjëherë më parë
për atdheun e gjuhën kontribuan.
Që nga De Rada,Naimi,Mjeda
gjuha jonë u fol dhe u shkrua
do të flitet sa të jetë kjo jeta
kurrë,kurrë s’ka për t’u harruar.