VASHA NË BURG
(Të burgosurës Shemsie Elshani)
Dëgjoj me veshin në mur,
Akull i ftohtë si gur,
Jehon kënga ah ç’melodi!
Seç m’i dha shpirtit freski.
Qante një vashë me gjuhën e këngës,
Zëri krismë pushke, fjala plumb i saj,
Mërzinë e flakte larg në harrim,
Me zërin e bukur,me këngën kushtrim.
Melodia e zërit e mbyste qetësinë,
Kënga kreshnike e vranëte vetminë,
Errësirën në qeli si vdekjen e shikonte,
Me kthetrat e këngës n’fyt e shtrëngonte.
Kur drita errësirës sytë ia verbon,
I thuret këngë diellit, flamuri valon,
S’më bren dhembja e zezë veladon i murgut,
Për vashën shqiponjë në errësirën e burgut.
*Shemsie Elshani veprimtare e çështjës kombëtare dhe ish e burgosur politike me 1982,poezia është shkruar po në këtë vit në burgun e Prizrenit.(Marr nga përmbledhja Apoteoza e Lirisë)