Wednesday, June 25, 2025
BallinaVitrina e libritManushaqe Hoxha Laçi-O TË MARR, O VDES

Manushaqe Hoxha Laçi-O TË MARR, O VDES

Ato flokët tua
Hedhur përmbi shpinë
Ti përkëdhel dua
Vashëz gjeraqinë

Syri yt i shkruar
Ngjyrën marrë qiellit
Më ke përvëluar
Moj rrezja e diellit

Buza jote kuqe
Si qershi e pjekur
E vogla burbuqe
Zemrën ma ke djegur

Të të puth njëherë
Buzë ndezura flakë
Dua të t’marr erë
Të heq k’të merak

Përmbi tëndin gjoks
Kokën të mbështes
Ëmbëlsisht të loz
Mos më lër të pres

I shikoj me ëndje
Të tuat veprime
Brenda zemrës tënde
Peng ke zemrën time

Sa herë shkon e vjen
Me sy m’shigjeton
Do ta gjej folenë
Kot po më mundon

Kur më hedh shikimin
E prek dashurinë
Te ti gjej shërimin
Lule trëndelinë

Me nazet e tua
Më ke lënë pa gjumë
Po më çmënd mua
Çdo ditë e më shumë

Moj flokë gështenjë
Derdhur përmbi sy
Dërgomë një shenjë
Vij të rri me ty

Zemrën ma ke marrë
Shpirti për ty m’digjet
Mos më lër të vrarë
Hapmi mike shtigjet

Falmë dashurinë
Mos më lër të pres
Gonxhe në lëndinë
O të marr, o vdes

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT