Tuesday, April 1, 2025
BallinaVitrina e libritKujtim Hajdari-U NGOPA

Kujtim Hajdari-U NGOPA

U ngopa me ajrin e heshtjes,
Ku fjalët mbeten pezull – kufoma pa jetë,
Mendimet enden si re kaotike,
Në një qiell të pafund, të errët,
Me njolla e shenja mistike.

U ngopa me kujtime të vjetra,
Që si jehona të trembura në netë të frikshme,
Kthehen me zërat e mekur të së shkuarës,
Dhe ende më thërrasin si jetimë pa shpresë,
Si shpirtëra të përçudnuar, në mallkim.

U ngopa me çastet e humbura,
Që koha i mbyt në ujëra të turbullta,
Dhe unë i lodhur, i këputur
Tretem në brigjet e saj të frikshëm,
Duke pritur një valë të re,
Të më fshijë epitafin e dhimbjes,
Mbi gurin mortor të gëzimit.

U ngopa e prapë mbeta në kërkim,
Për një dritë që të më ndezi natën e ftohtë të mendjes,
Për një ndjenjë – t’më ngroh zemrën e akullt,
Dhe për një shpresë që t’më çojë diku,
Qoftë dhe në rrugë pa krye, qorre të së ardhmes,
Veç të ndjej se po lëviz, po bëj tutje.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT