Ndërsa nata rrëshqiste mbi xham,
yjësia rritej brenda meje…
doja ta shkulja me gjithë rrënjë
e ta mbillja në trupin e tij…
Gëlltisja ajrin dhe thithja aromën e lëkurës,
e pangopur nga puthjet e panumërta,
që kuqëlonin qiellin tim të dëshirave!
Baluket shponin mendimet
e bebëzave të syrit…,
e ai, ngatërronte gishtat mes tyre,
me ledhatime të pambukta.
Puthjet e tij,
drejtonin shpinën e viteve të kërrusura,
në lëkurën time të bardhë…
Qe një çast, kur xhelozoja çarçafët
tek puthnin aromën e kripur të trupave tanë…
xhelozoja dhe digjja buzët,
me njelmësinë e djersës
në shpinën e tij…!
Nata kish hyrë në dhomë,
e mbahej me thonj
në pasqyrën llafazane varur në mur,
që mërmëriste imazhet
e dy hijeve që bënin dashuri,
… ndërsa unë…
unë, çlodhja sytë brenda syve të tij…
Pasqyra llafazane, vazhdon mërmërin edhe sot..!