Zemra e një artisteje është fikur,
lehtas, porsi ëngjëlli e la këtë botë
nga ky lajm vetë Perënditë janë mërzitur,
edhe shkëmbinjtë me tò derdhën lot.
Margaritë, sa bukur tingëllon ky emër
ashtu si fjala jote që drithëroi zemra,
mbetesh simbol i kohës, si nënë, si femër
dhe si grua që në jetë realizove ëndrra.
Nuk mjaftojnë ujët e “Kroit të mirë”,
me të qarë me gurgullima nuk mjafton,
as ujët e detit me shkumë të bardha larë,
oqeani përcjell vaje dhe gurin copëton.
Të qajmë për ty nuk bëjmë mëkatë,
për yllin që rrugën te ëngjëjt ka marrë,
të presin me kurorë margaritarësh larë,
dhe ti u dhuron buzëqeshjen si dielli i artë.
Me rrezet bashkë me ‘to nis e shkëlqen,
fjala jote, porsi zjarri, aty bën magji
është e shenjtë, lart në qiell ajo vlen
Margaritarë mbete, trëndafil plot bukuri.
Të përcjell mes vargjesh o Perëndeshë,
se je ikona dhe mbete ylleshë e rrallë,
si nuse me bardhësinë hyjnore vesh,
do të të kujtojmë e do të kemi vetëm mall.
Lamtumirë, e bukura e dheut vetë
o meteor që në skenat tona bëre dritë,
artiste si ty vijnë vetëm njëherë në jetë,
fli në paqe, mbretëresha jonë, Margaritë!