Thursday, June 19, 2025
BallinaVitrina e libritIbrahim Abedini-Poeti Strugan-Mos vajto, moj Shqipëri 

Ibrahim Abedini-Poeti Strugan-Mos vajto, moj Shqipëri 

Mos vajto, moj Shqipëri 

1. 

Mos bjer më dy gjunjë, 

mos rënko si e sëmurë, 

mos e shtri dorën si e paudhë 

se armiqtë do qeshin me ty, 

do thonë, është kockë e lëkurë… 

2. 

Mes malesh je ngritur, Shqipëri, 

kështjellë e skalitur për trimëri, 

me malet je lidhur që në lashtësi, 

mbahu e fortë, mos trego ligështi!… 

3. 

Mos lëngo e mos vajto, 

mos u përpëlit si gjeli pa kokë 

armiqve dobësinë mos ua trego, 

mos u thuaj se, s´kam bukë 

por as sofër mos u shtro, 

janë të pabesë e janë kopukë… 

4. 

Mos vajto, moj Shqipëri 

se ti malet i ke shtëpi, 

se ti detin e ke flori, 

ti Shqiptarët i ke pasuri, 

ndaj dhe zoti të zgjodhi ty… 

5. 

S’ke nevojë ti për lëmoshë, 

as nga Serbi e as nga Greku, 

as nga Turku e as nga Bullgari 

se për ty edhe të vdekurit 

kur t´i thirrësh çohen nga varri… 

6. 

Mbaje kokën lartë, moj Shqipëri 

dhe gjëmo njëherë mbi Tomorr, 

vetëto mbi malet Dardane 

e qëllo rrufe përtej Mollës së Kuqe, 

mos vajto, moj Kapedane… 

7. 

Unë, të njoh ty lartësitë, 

unë, të njoh ty lashtësinë, 

historin e trimëritë 

kur të tjerët s´kishin brekë, 

ti mbi botën hidhje dritë… 

8. 

Eh, sa poshtë që ke rënë, 

palaçot për fyti të kan zënë, 

me shkelma e grushta të godasin, 

për toke të kanë shtruar, 

natën pas shpine të vrasin, 

ditën qeshin, si gamat gajasin… 

9. 

Vëllezër e motra jashtë i ke lënë, 

sofrën e madhe s´ke si e shtronë, 

Shqipërinë të gjithë e duan, nënë, 

të ndritur si diell, si yll edhe hënë, 

po nuk u bë sot, nesër është vonë… 

10. 

Mos vajto, moj Shqipëri! 

unë e di, ku të dhemb e ku të djeg 

se në histori nuk hyet pa trimëri, 

kullat të janë djegur e s´të kanë frëngji. 

Unë e di, 

pret një kryetrim që në fron të vi… 

11. 

Mos vajto, o Shqipëri! 

Lotin malet nuk e mbajnë 

se ty trimat s´të mungojnë, 

toka jote ka lindur viganë 

që me zemër të kanë thirr, nanë… 

12. 

Rrëzoi nga froni këta tiranë, 

që të rrjepin e që të hanë, 

që të shesin tek armiqtë, 

me pallavra kokën të lajnë, s´njohin gjuhë e s´njohin komb 

veç për lekun vajtojnë e qajnë… 

13. 

Kjo tokë ka rritur trima, 

trima si në çdo epokë, 

si Luanë e si Dragoj, 

nga një brum e nga një soj 

ty as vdekja s´të fitoj… 

14. 

Kush ia mendon nënës varrin, 

dhe shkel mbi tokën e saj kot, 

më mirë le t´i vë vetes litarin 

se nënës t´ia mbush syt me lotë… 

15. 

Mos vajto, moj Shqipëri, 

bashko grushtet dy më dy, 

gjithë Shqiptarët nën një strehë, 

një atëdhe e një simbol 

për armiqtë një arkivol… 

Më prit Strugë 

1. 

Ja, më prit se erdha, strugë 

ti je imja, e vetmja dashuri 

nuk ndërroj unë tjetër rrugë 

më të parën pa të puthur ty… 

2. 

Sa herë unë nisem për diku tjetër 

rrugën e shkretë shpesh e gaboj 

këmbët ndalojnë në folenë e vjetër 

ngarkesën e anijes aty e shkarkoj… 

3. 

Ëndërat aty s’e mbysin gjumin, 

yjet s’e humbasin shkëlqimin, 

rrëketë nuk e turpërojnë lumin, 

me vite nata aty s’e ha durimin… 

4. 

Oj lulkuqe e vjetër, o e bukura e maleve  

bijë e stërgjyshërve kapëbardhë në breza  

e larë, e ndritur, me shkumbën e valëve 

rritur, lartë e ngritur, si Shqiponjat e zeza… 

5. 

Ti je dashuria kurrë që s´më thot, jo 

e pyllit thëllëzë, e fushës drenushë 

ti je ajo që më thotë, rri tek unë e rro 

e malit krenari me gjerdan në gushë… 

6. 

Pa rreshtur do të vij, 

në Dimër dhe në Verë, 

edhe kur do të bjerë shi, 

edhe kur të fryjë erë… 

7. 

Sytë e mi tek ty shpërthejn në vaj 

rrënjë dhe degë botës do t´ia shaj 

bukurin e anës tjetër dreqi le ta haj,unë prap se prapë, tek ty dua të qaj… 

8. 

Ardhja tek ty është uratë, 

një drejtim dhe një rrugë, 

dashurinë të sjell dhuratë, 

ja, më prit se erdha, Strugë…  

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT