DRURË…
Drurë të rinj
Rrënjë të vjetra
Shkulur prej tokës
Sharrtuar te kujtesa
Ëndërra
Buzëplasura
Yjesh gojëkyçur.
Koha ime
Jote
Në këtë botë
Të krisur.
GJITHÇKA NXITON…
Gjithçka nxiton para nesh
Ku dritën palosin agimet
Përshëndetje të kohës së nesërme
Me gjuetira pasqyrimesh.
Arsye të tjera më bëjnë të rroj
Dhe duart të shtrij për lutje
Te muzgjet e hapura mëtoj
Jehonat me fjalë të ujshme…
NË ZBARDHËLLIMIN E DITËS
Në zbardhëllimin e ditës
Përkëdhel
Mungesën tënde
Të mallit
Si mëndafsh.
Pezull
Në ëndërrat që s’i pashë.
Tek ujërat që zbresin nga qiejt
Fytyrën tënde kërkoj
Gjithçka flet më një gjuhë
Që vetëm unë e kuptoj…
BUZË…
Buzë të paputhura qielli
Që përthajnë koren e tokës
E ngjyejnë gurët
Etje që ndjekin lumenjtë
Për t’u larë në detin
E Krijimit
Yje pritjesh
Qarkuar
Në gjoksin e shkopsitur
Të mesditave të tua
Që më çelin në duar.
*Endjet e së hënës