Heshtur vetmisë,
vështrimin e pritjes
nga dera fiksuar,
shtigjeve të askundit,
fantazia turbulluar,
rrugën nis merr,
të pashuarat kujtime,
dëshirave të mekura,
keqas mpleksen.
Buzagazit këputur,
zbrazëtisë së shpirtit,
e shkuara miklohet,
kur çamaroku i saj,
në prehër i rehatohet,
kokën në gjoks,
përqafimit i mbështet,
arom’ e dhembshurisë,
joshjes i jep jetë.
Mjegullimit të lotëve,
pragut të derës,
i vogli i saj, tashmë
rrugëve të kurbetit,
mundimesh burrëruar,
me hapin e rëndë,
krahëve i lëshohet,
kulmit të ngazëllimit,
imazhit i fashitet.
Drobitur vegimit,
e gjora nënë,
frymën thellë tërheq,
mendjen zë kthjellon,
këmbëkryq mbi sy,
trishtimi i sruket,
avazit, shpirtin i pushton.